Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka hedhur poshtë kërkesën e kryeparlamentares Albulena Haxhiu dhe nëntë deputetëve të tjerë lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e Presidentit të vendit.
Në vendimin e saj të datës 30 mars 2026, Gjykata njoftoi se njëzëri ka refuzuar si kërkesën kryesore, ashtu edhe propozimin për vendosjen e masës së përkohshme. Sipas njoftimit zyrtar, vendimi parashikon refuzimin e kërkesës, njoftimin e palëve të përfshira, publikimin në Gazetën Zyrtare dhe hyrjen e menjëhershme në fuqi, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.
Kërkesa ishte dorëzuar me pretendimin se deputetët e opozitës kishin shkelur Kushtetutën përmes mos pjesëmarrjes në seancën e jashtëzakonshme të 5 marsit 2026, ku u zhvillua procesi i votimit për zgjedhjen e Presidentit. Sipas parashtruesve, kjo sjellje binte ndesh me detyrimet kushtetuese dhe me një aktgjykim të mëparshëm të Gjykatës.
Megjithatë, me këtë vendim, Kushtetuesja i ka dhënë fund këtij kontesti institucional, duke lënë në fuqi procedurat e ndjekura për zgjedhjen e Presidentit dhe duke përforcuar interpretimin e saj mbi çështjet që lidhen me funksionimin kushtetues të institucioneve të vendit.

