Hoxha: Evropa është një histori zgjerimi, koha e Shqipërisë është tani

by Nexhat

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, zhvilloi një bashkëbisedim me studentë të Akademisë Diplomatike të Vjenës, në ambientet e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Takimi u karakterizua nga një shkëmbim i hapur dhe i frytshëm mbi sfidat dhe transformimet që po përjeton diplomacia në një kontekst të ri gjeopolitik, gjithnjë e më kompleks dhe dinamik, shkruan Tvklan.al, transmeton Klankosova.tv.

banner

Në qendër të diskutimeve ishte rrugëtimi evropian i Shqipërisë, përfshirë progresin e arritur në reformat kyçe, ecurinë e procesit të negociatave për anëtarësim dhe angazhimin e vazhdueshëm për të prodhuar rezultate konkrete në funksion të integrimit në Bashkimin Evropian.

Hoxha theksoi se orientimi evropian i Shqipërisë ka qenë i qartë dhe i pandryshueshëm që prej fillimit të këtij procesi: “një rilidhje e plotë dhe pa kushte me hapësirën natyrore të përkatësisë sonë – Evropën”.

“Për ne nuk ka asgjë më gjithëpërfshirëse dhe më jetike sesa procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në Evropë ka ndodhur një ndryshim i rëndësishëm: zgjerimi është rikthyer në qendër të vëmendjes. Sot, kushdo që flet për zgjerimin e konsideron atë një investim strategjik për të ardhmen e Evropës. Evropa është një histori zgjerimi, një histori rritjeje. Dhe nëse shpesh thuhet se Evropa do të zgjerohet kur të vijë koha e duhur, për ne kjo kohë është tani. Nuk ka arsye për vonesa”, u shpreh Hoxha.

Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit dhe të përgjegjësisë së përbashkët për të çuar përpara perspektivën evropiane të vendit, duke vlerësuar njëkohësisht rolin e brezit të ri të diplomatëve në formësimin e së ardhmes së Evropës dhe të rajonit.

Ministri vlerësoi gjithashtu kontributin ndër vite të Akademisë Diplomatike të Vjenës në përgatitjen e brezave të diplomatëve, duke theksuar lidhjen e qëndrueshme të këtij institucioni me Shërbimin e Jashtëm të Shqipërisë, përmes formimit të disa prej përfaqësuesve të tij.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy