Ish-ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali ka reaguar pas tensioneve në Parlament një ditë më parë, ku mazhoranca dhe opozita u përplasën ashpër, ndërsa deputetët gati u konfrontuan edhe fizikisht. Spiropali ngre shqetësimin për një krizë më të thellë se tensionet politike të ditës, duke paralajmëruar për rrezikun e dobësimit të institucioneve dhe rënies së besimit publik.
Sipas saj, situata e fundit në Parlament nuk lidhet thjesht me konfliktin politik, por me faktin që ky konflikt po zëvendëson vetë funksionin e institucionit. Spiropali theksoi se kur Parlamenti nuk arrin të ushtrojë rolin e tij përfaqësues dhe kontrollues, pasoja e parë është humbja e besimit të qytetarëve.
“Kriza e Parlamentit është kriza e Republikës Parlamentare. Dje në Parlament nuk pamë vetëm tension. Pamë një mekanizëm që po dështon të prodhojë politikë. Kjo që po ndodh në Parlament nuk është diçka e panjohur për politikën. Konflikti ka qenë gjithmonë pjesë e saj. Por sot problemi nuk është konflikti në vetvete. Problemi është se konflikti banal po zëvendëson funksionin”, shprehet Spiropali.
Ajo paralajmëroi se kjo rënie e besimit nuk prek vetëm Parlamentin, por vetë themelin e Republikës Parlamentare. “Një Republikë Parlamentare nuk mbahet vetëm me procedura, por me funksion, me debat që prodhon kuptim dhe me kontroll që sjell përgjegjësi”, u shpreh Spiropali.
Sipas saj, nëse kjo situatë vazhdon, rreziku është që institucionet të ekzistojnë vetëm formalisht, pa ushtruar realisht rolin e tyre. Në këtë kontekst, ajo theksoi se edhe procesi i integrimit evropian kërkon institucione funksionale dhe jo thjesht struktura formale
Reagimi
Kriza e Parlamentit është kriza e Republikës Parlamentare. Dje në Parlament nuk pamë vetëm tension. Pamë një mekanizëm që po dështon të prodhojë politikë. Kjo që po ndodh në Parlament nuk është diçka e panjohur për politikën. Konflikti ka qenë gjithmonë pjesë e saj. Por sot problemi nuk është konflikti në vetvete. Problemi është se konflikti banal po zëvendëson funksionin.
Parlamenti nuk po arrin më të ushtrojë rolin e tij përfaqësues dhe kontrollues. Në vend që të jetë hapësira ku përfaqësohen interesat e shoqërisë dhe ku kontrollohet qeverisja dhe institucionet, ai po kthehet në një arenë ku energjia po shpërdorohet pa prodhuar drejtim.
Kur funksioni atrofizohet, pasoja e parë është bjerrja e besimit. Dhe kur bie besimi, nuk dobësohet vetëm Parlamenti, por vetë ideja e Republikës Parlamentare.
Sepse një Republikë Parlamentare nuk mbahet vetëm me procedura. Mbahet me funksion. Me debat që prodhon kuptim. Me kontroll që prodhon përgjegjësi.
Nëse kjo vazhdon, rreziku nuk është thjesht një Parlament i dobët. Rreziku është që Republika Parlamentare të mbetet vetëm formë, dhe jo përmbajtje.
Europa kërkon nga ne atë që duhet të kërkojmë nga vetja: institucione që funksionojnë, jo vetëm që ekzistojnë.

