Kryeministri Edi Rama, ka publikuar një video të realizuar me Inteligjencë Artificiale për të promovuar Samitin e IV të Diasporës Shqiptare, që do të zhvillohet në Tiranë më 13-14-15 prill 2026.
Në këtë material vizual, i shpërndarë në rrjetin social Facebook, shfaqen disa prej figurave më të rëndësishme të historisë dhe kulturës shqiptare, të rikrijuara përmes teknologjisë IA, si Skënderbeu, Ismail Qemali, Nënë Tereza, Fan Noli, vëllezërit Frashëri, Faik Konica, Jeronim De Rada dhe Gjon Buzuku.
Ky event synon të forcojë lidhjet mes diasporës dhe Shqipërisë, duke krijuar mundësi për ndarjen e ideve, për kontributin në zhvillimin e vendit dhe për ndërtimin e vizionit të përbashkët drejt Shqipërisë 2030.
Përmes takimeve dhe diskutimeve që do të mbahen gjatë samitit, pritet të thellohet bashkëpunimi dhe të krijohen ura të reja komunikimi mes shqiptarëve brenda dhe jashtë kufijve.
Samiti i IV i Diasporës Shqiptare pritet të zhvillohet në Tiranë, duke u kthyer në një moment të veçantë bashkimi për shqiptarët kudo në botë.
Ky samit, i organizuar nën kujdesin e Kryeministrit Edi Rama, synon të krijojë një hapësirë dialogu dhe bashkëpunimi mes diasporës dhe vendit amë, duke forcuar lidhjet dhe duke ndarë vizione për të ardhmen e Shqipërisë.
Më herët, qeveria shqiptare ka ftuar të gjithë bashkëatdhetarët të marrin pjesë në Samitin e IV të Diasporës Shqiptare, duke e cilësuar këtë ngjarje si një mundësi të veçantë për të dhënë kontributin e tyre në rrugëtimin drejt vizionit “Shqipëria 2030”.
Regjistrimi për pjesëmarrjen në Samitin e IV të Diasporës Shqiptare është tashmë i hapur.
Të gjithë bashkëatdhetarët që dëshirojnë të jenë pjesë e këtij takimi të rëndësishëm, mund të plotësojnë formularin e regjistrimit në linkun zyrtar: https://forms.office.com/e/YkTRgy8fYJ.

