Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, duke iu referuar protestave të studentëve shqiptarë në Shkup, ai u shpreh se kërkesat e tyre janë të drejta dhe se çështja e përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut është një e drejtë kushtetuese që nuk duhet të vihet në diskutim.
“Forcimi i gjithanshëm i marrëdhënieve të bashkëpunimit dhe mbështetja e pakufizuar për Kosovën mbetet në vijë të parë. Në çdo kohë dhe në çdo rast, Shqipëria ruan marrëdhëniet e mira me shqiptarët kudo që ndodhen. Sa u takon protestave të studentëve në Shkup, të cilët po kërkojnë një të drejtë. Ata po ngrenë një pyetje të drejtë. I kemi ndjekur me vëmendje. Përdorimi i gjuhës shqipe në RMV është një e drejtë kushtetuese dhe kjo e drejtë nuk duhet të vihet në diskutim. Është thelbësore që kjo të adresohet në rrugë institucionale, edhe pese RMV nuk është duke negociuar në mënyrë aktive si Shqipëria”, tha ai.
Sipas ministrit, kjo çështje duhet të adresohet në rrugë institucionale dhe me përgjegjshmëri, duke shmangur politizimin e saj, ndërsa theksoi rëndësinë e gjetjes së zgjidhjeve konkrete.
“Për ne është shumë e rëndësishme që kjo çështje të mos politizohet, por të trajtohen me përgjegjshmëri. Ajo që na intereson janë zgjidhjet”, shtoi ai.
Më tej, Hoxha ka deklaruar në konferencën për mediat se forcimi i bashkëpunimit rajonal dhe mbështetja për Kosovën mbeten prioritete kryesore të politikës së jashtme shqiptare.
Hoxha theksoi se Shqipëria ruan dhe forcon marrëdhëniet me shqiptarët kudo që ndodhen, duke nënvizuar angazhimin e vazhdueshëm për mbrojtjen e interesave të tyre në rajon.
/rtsh.al/

