Me aktivitete dhe ngjarje interesante filloi punën akademia e dytë verore për Ndërmarrësi dhe Inovacion e organizuar nga Fakulteti Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi në UBT, në kuadër të festivalit më të madh të dijes në Evropë “Global UBT Fest 2023”.
Hapjen e akademisë e bëri Prof. Kestrim Avdimetaj, i cili për më tepër tregoi që kjo akademi do të ketë rëndësi të veçantë për studentët, të cilët kërkojnë të marrin më shumë shkathtësi rreth ndërmarrësisë dhe inovacionit, marketingut digjital, inovacionit në ndërmarrjet e vogla, si dhe për teknikat e prezantimit dhe komunikimit në biznes.
E veçantë e kësaj akademie ishte prezenca e Prof. Erin C. Johnson nga Universiteti i Iowa-s, e cila ligjëroi rreth menaxhimit dhe ndërmarrësisë, si dhe ri-theksoi domosdoshmërinë e krijimit të një platforme globale ku studentët si nga UBT apo Iowa munden të bashkëveprojnë nëpërmjet Global Virtual Teams, duke i shpërndarë njohuritë dhe eksperiencat e tyre në një sistem të përbashkët.
Ndërsa, në pjesën e dytë të kësaj akademie para studentëve ishte Prof. Engelbert Zefaj, i cili ligjëroi rreth stimulimit të inovacioneve me Lean Six Sigma, si dhe historinë e aplikimit të këtij koncepti shumë të rëndësishëm menaxherial.