Sulmi ndaj sinagogës në Shkup, liderët fetarë dënojnë veprim: Islami ndalon aktet kundër objekteve fetare, jemi për paqe

by Nexhat

Tentativa për t’i vënë zjarr objektit të Komunitetit Hebre dhe sinagogës “Bet Jakov” në Shkup ka nxitur një sërë reagimesh nga autoritetet dhe liderët fetarë në vend. Komisioni për Marrëdhënie me Bashkësitë Fetare, së bashku me përfaqësuesit e pesë bashkësive fetare, e dënuan ashpër incidentin, duke e cilësuar si sulm ndaj paqes, stabilitetit dhe bashkëjetesës ndërfetare. Ata u bënë thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë dhe të vazhdojnë të kultivojnë respektin dhe tolerancën ndërmjet komuniteteve.

“Në frymën e bashkësisë, bashkëpunimit ndërfetar dhe mirëkuptimit të ndërsjellë, u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të tregojnë përgjegjësi, arsye dhe virtyt dhe të mbetemi ruajtës të bashkëjetesës. Respekti i ndërsjellë është ndër vlerat më të mëdha që posedojmë, ndaj ta ruajmë dhe ta lëmë si amanet për brezat e ardhshëm”, tha Olivera Trajkovska, Kryetare e Komisionit për Marrëdhënie  me Bashkësitë Fetare

banner

Kryetari i Komunitetit Hebre, Pepo Levi, tha se ky është një incident i rrallë dhe tronditës për vendin. Ai paralajmëroi edhe për rrezikun e ndikimeve të jashtme dhe bëri thirrje që Maqedonia të ruajë traditën e saj të bashkëjetesës dhe harmonisë ndërfetare.

“Shpresoj që nuk do të lejojmë që konfliktet dhe ndikimet e jashtme të përhapen në Maqedoninë tonë, ku jetojmë në paqe, bashkëjetesë dhe kemi mirëkuptim dhe marrëdhënie të afërta mes të gjitha bashkësive fetare. Shpresoj sinqerisht që policia ka më shumë informacione. Besoj se në rrënjë do të shtypen të gjitha këto forma të intolerancës fetare që përhapen mes të rinjve dhe njerëzve me qëllime të këqija”, theksoi Pepo Levi, kryetar i Komunitetit Hebren në Maqedoni

Kreu i Bashkësisë Fetare Islame, Shaqir Fetahu tha se brenda bashkësisë dhe mes të gjithë besimtarëve myslimanë nuk ka asnjë problem që ka të bej me bashkësitë e tjera fetare. Fetahu theksoi se bashkëjetesa mbetet e qëndrueshme.

“Islami rreptësisht ndalon aktet kundër objekteve fetare pavarësisht cilës bashkësi fetare i takon. Ne jemi për paqe”, tha mes tjerash Shaqir Fetahu, kryetar I BFI-së.

Tentativa për të djegur objektin e Komunitetit Hebre dhe sinagogës “Bet Jakov” në Shkup  ndodhi në orët e para të mëngjesit të datës 12 prill, ndërsa institucionet përkatëse kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rastit. /alsat

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy