Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, ka njoftuar se është takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me të cilin tha se zhvilloi një “bisedë të hapur” dhe tha se adresoi disa kërkesa që janë me rëndësi për Bujanocin dhe qytetarët e saj.
“Kërkuam rritjen e mjeteve nga transferi qendror, rinovimin urgjent të dy shkollave shqipe, si dhe një mbështetje ad hoc për një projekt të ujit të pijshëm. Në aspektin e infrastrukturës, prezantuam edhe projekte të tjera, për të cilat u dakorduam që të detajizohen më tej me ministritë përkatëse. Po ashtu, u theksua se është çështje ditësh kur do të fillojnë disa projekte infrastrukturore në komunën tonë”.
Ai tha se presidentit serb ia paraqiten edhe qëndrimet e tyre lidhur me zbatimin e marrëveshjeve të deritanishme dhe obligimeve të marra nga qeveria.
“Theksuam se është nevojë e domosdoshme përfshirja proporcionale e shqiptarëve në organet shtetërore, me theks të veçantë në polici. Si hap të parë drejt ndërtimit të besimit të ndërsjellë, propozuam njohjen e diplomave”.
Pajaziti tha se në këtë takim kanë folur edhe për çështjen e pasivizimit të adresave për shqiptarët.
“Gjithashtu, trajtuam çështjen e ndjeshme të pasivizimit të adresave dhe mekanizmat jo vetëm për ndalimin e saj, por edhe për rikthimin e adresave të qytetarëve të prekur”.
Kryetari i Bujanocit tha se u dakorduan se Bujanoci ka nevojë për investime në ekonomi dhe, në këtë drejtim, shkëmbyem ide rreth sektorëve që mund të gjenerojnë vende të reja pune.
“Diskutuam edhe për energjinë, veçanërisht për shtrirjen e gazifikimit edhe në komunën tonë”.
Po ashtu, Pajaziti tha se kërkoi nga Vuçiq edhe lejimin e hapjes së konsullatës së Republikës së Shqipërisë në Bujanoc.
“Me Presidentin Aleksandar Vučić u pajtuam që çështjet e diskutuara duhet të kenë afat optimal të realizimit në praktikë dhe se duhet të vihen në dispozicion resurset e të gjitha niveleve të pushtetit. Në fund, u pajtuam që takime si ky i sotmi të vazhdojnë edhe në të ardhmen, me praninë e ministrave nga kabineti qeveritar, si dhe pa pasur asgjë kundër pjesëmarrjes së përfaqësuesve ndërkombëtarë”.

