E ardhmja e stolit të Real Madridit vazhdon të ndezë debate si pro ashtu edhe kundër kandidatëve të ndryshëm, por brenda dhomës së zhveshjes duket se tashmë ekziston një preferencë e qartë – dhe sigurisht që nuk është José Mourinho, i cili ka qenë në qendër të vëmendjes për shkak të një rikthimi të mundshëm në klub.
Sipas Gonzalo Álvarez, gazetar i “Cadena SER”, vetë lojtarët e shohin Jürgen Kloppin si zgjedhjen më të mirë për të udhëhequr një epokë të re te “Los Blancos” dhe për të zëvendësuar Álvaro Arbeloan.
E vërteta është se debati nuk është i vogël.
Bordi drejtues, i udhëhequr nga Florentino Pérezi, po analizon alternativa të ndryshme pas dy sezonesh radhazi pa trofe, dhe janë përmendur disa emra si Mauricio Pochettino, Didier Deschamps dhe madje trajneri i kombëtares së Argjentinës, Lionel Scaloni.
Mes tyre është përfolur edhe një rikthim i mundshëm i Mourinhos te Real Madridi, por balanca emocionale në dhomën e zhveshjes duket se anon nga Kloppi, të cilin lojtarët e konsiderojnë më të aftë për të rindërtuar atmosferën e ekipit dhe për t’u lidhur me skuadrën.
“Mourinho është një bombë me sahat dhe, në një dhomë zhveshjeje ku disa lojtarë sillen në një mënyrë dhe të tjerë janë egoistë, një njeri si ai mund të vijë dhe të përplaset me ta. Dhe ata e dinë këtë,” shtoi ai, duke përmendur Deschampsin për shkak të raportit të tij me lojtarët francezë.
E vërteta është se për një grup që ka nevojë të rikthejë besimin dhe kohezionin pas sezonesh të paqëndrueshme, stili i gjermanit – më i afërt, motivues dhe më pak konfrontues – mund të jetë më i përshtatshëm, edhe pse kjo nuk përjashton ndikimin që mund të ketë trajneri portugez.
“Florentino e di që Kloppi është ai që i entuziazmon njerëzit dhe e di që nëse vjen Mourinho, pas vetëm tri javësh, gjithë zhurma rreth tij do t’i bëjë njerëzit të harrojnë pak gjithçka që ka ndodhur,” tha gazetari.
Me pesë ndeshje të mbetura, por pa trofe për të synuar, dhoma e zhveshjes nuk është në gjendjen më të mirë dhe lojtarët tashmë e kanë mendjen te pushimi, te Kupa e Botës apo thjesht te fundi i një tjetër sezoni për t’u harruar – një sezon në të cilin, përveç humbjeve, nuk munguan as dëmtimet.
Në këtë kontekst, trajneri i ri i Real Madridit do të përballet me sfidën për të rigjallëruar ekipin dhe për të arritur rezultate më të mira, por rruga drejt suksesit nuk është e vetme. Për momentin nuk ka një vendim përfundimtar, por dhoma e zhveshjes duket se ka dhënë një sinjal të qartë për atë që dëshiron për të ardhmen

