Servet Pëllumbi i cili u nda nga jeta ditën e sotme në moshën 89-vjeçare do të mbahet mend si një personalitet i shquar i politikës shqiptare, i njohur kryesisht si një nga figurat kryesore të tranzicionit demokratik në Shqipëri.
Servet Pëllumbi ka lindur më 14 dhjetor të vitit 1936 në qytetin Korçës.
Ai kreu studimet e larta në Universitetin e Petersburgut ku mori titullin doktor i shkencave në Letërsi.
Karriera e tij akademike filloi si pedagog në Institutin Pedagogjik të Korçës (1960-1963) dhe vazhdoi në Universitetin e Tiranës.
Pas viteve 1990, ai u pozicionua si një nga themeluesit dhe drejtuesit e rëndësishëm të Partisë Socialiste të Shqipërisë.
Pëllumbi shërbeu si nënkryetar i Partisë Socialiste deri në vitin 1996 dhe ka luajtur rol kyç në fushatat e rëndësishme politike, si kundërshtimi i referendumit për Kushtetutën dhe lirimin e Fatos Nanos.
Servet Pëllumbi ishte një nga protagonistët kryesorë të ngjarjeve pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 1996, ku protestuesit dhe përfaqësuesit e opozitës u dhunuan në sheshin “Skënderbej” nga pushteti i asaj periudhe i Sali Berishës pasi pretendonin se zgjedhjet parlamentare të 26 majit ishin manipuluar.
Jo pa qëllim, në lamtumirën drejtuar Pëllumbit, kryeministri Edi Rama ka përzgjedhur foton e gjakosur të 28 majit të vitit 1996, ku shfaqet Servet Pëllumbi së bashku me protestues të opozitës dhe një gazetar spanjoll. Fotoja bëri xhiron e faqeve të agjencive botërore
Kulmi i karrierës së tij parlamentare ishte Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë nga 30 Prilli 2002 deri më 3 Shtator 2005.
Përveç aktivitetit politik, ai ka ushtruar aktivitetin e tij intelektual duke qenë mjaft produktiv me një opus të gjerë letrar dhe shkencor.
Pëllumbi ka botuar mbi 15 libra në fushat e sociologjisë politike, filozofisë, etikës, globalistikës dhe analizës së tranzicionit shqiptar, ndër të cilët: Dritëhije të tranzicionit (2000), Të mendosh ndryshe (2001), Edhe politika do moral (2005), Etikokracia (2013), Përvoja ime në Partinë Socialiste (2016)
Pëllumbi është njohur për vizionin intelektual dhe kontributin e tij në zhvillimin e mendimit politik e demokratik në Shqipëri. Ai është dekoruar me urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” nga ish-presidenti Alfred Moisiu.
Servet Pëllumbi do të mbetet një figurë e respektuar, që shpeshherë thirrej mes kolegësh si “Profesor” për kontributin e tij akademik dhe politik

