Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e helmimit të rreth 56 studentëve në Akademinë e Sigurisë në Tiranë. Sipas informacioneve paraprake, oficerët e Komisariatit Nr.1, që kanë në juridiksion zonën ku ndodhet akademia, kanë arrestuar dy punonjës të kompanisë katering, kuzhinierin K. B., 52 vjeç dhe teknologen e ushqimit K. P., 23 vjeçe.
Ndërkohë, në kërkim është shpallur pronarja e kompanisë private që ofronte shërbimin ushqimor për institucionin, A. T., 52 vjeçe, ndërsa është proceduar në gjendje të lirë edhe R. Ç., 35 vjeçe, me detyrë teknologe. Policia i akuzon ato për veprën penale “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”.
Problemet për studentët filluan të mërkurën ku menjëherë pas konsumimit të drekës ata kanë shfaqur shqetësime shëndetësore dhe simptoma helmimi, çka ka bërë që në vendngjarje të mbërrijnë rreth 10 ambulanca, të cilat i kanë transportuar drejt spitalit për ndihmë mjekësore.
Sipas të dhënave të fundit, gjendja e të prekurve raportohet të jetë nën kontroll dhe të gjithë studentët janë larguar nga spitali pas marrjes së trajtimit të nevojshëm.
Njoftimi zyrtar i policisë:
“Të mërkurën janë dërguar për ndihmë mjekësore në Repartin Infektiv të QSUT-së, 56 studentë të Akademisë së Sigurisë, të cilët dyshohet se janë helmuar pas konsumimit të ushqimit në ambientet e Akademisë së Sigurisë. Të gjithë studentët morën ndihmën e nevojshme mjekësore dhe kanë dalë nga spitali, në gjendje të mirë shëndetësore. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, për këtë rast: -arrestuan në flagrancë shtetasit K. B., 52 vjeç dhe K. P., 23 vjeçe, me detyra respektive kuzhinier dhe teknologe ushqimi në kompaninë e kontraktuar për të ofruar ushqim në Akademinë e Sigurisë; -referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen R. Ç., 35 vjeçe, me detyrë teknologe ushqimi në këtë kompani; -shpallën në kërkim administratoren e kompanisë, shtetasen A. T., 52 vjeçe. Punohet për kapjen e shtetases A. T., individualizimin dhe dokumentimin e përgjegjësisë penale të shtetasve të përfshirë në këtë rast. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprën penale “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”, njofton policia./EuronewsAlbania/

