Procedurat për prokurimet publike pritet të transformohen, duke kaluar në një sistem të ri që do të mundësojë prokurime nëpërmjet Inteligjencës Artificiale.
Kryeministri Edi Rama gjatë një konference ku u prezantuan zhvillimet kryesore në fushën e prokurimeve, përfshirë legjislacionin dhe procedurat deklaroi se brenda këtij mandati do të jetë gati sistemi i ri i prokurimeve.
“Diella është në një fazë të re të procesit, pasi gjatë kësaj periudhe janë hartuar 450 faqe me specifikime teknike të detajuara, të cilat janë vënë në shqyrtim të Banka Botërore, e cila ka dhënë dritën jeshile dhe jemi gati të kalojmë në një sistem unikal me inteligjencë artificiale.
Projekti ynë është i pari i këtij lloji në rajon, sepse mundëson prokurimin me inteligjencë artificiale në një masë shumë të madhe të procesit. Asnjë biznes nuk do të mbledhë më letra lart e poshtë për prokurimet publike.
Të dhënat do të mblidhen nga DIELLA përmes më shumë se 40 regjistrave publikë dhe do të vendosen në dispozicion të projektit për t’u menaxhuar me një klik. Çdo veprim do të jetë në ekran, transparent dhe i menaxhueshëm.
Kjo do të mbyllë problematikat për llogaritjen e fondit publik dhe shqyrtimin e procedurave. Çdo gjë do të bëhet me algoritme nga Diella.
Sistemi është planifikuar të ndërtohet mbi parimet më të larta të transparencës, të përcaktuara nga institucionet dhe organizatat ndërkombëtare.
Do të jemi tërësisht në një fazë tjetër të re brenda këtij mandati, për një Shqipëri Europiane 2030.”
Kryeministri Edi Rama deklaroi ndër të tjera se Shqipëria ka bërë progres të ndjeshëm në fushën e prokurimeve publike, duke theksuar uljen e kohëzgjatjes së procedurave dhe rritjen e konkurrueshmërisë krahasuar me disa vende të Bashkimit Europian.
Sipas tij, raporti i Gjykatës së Llogarive tregon se Shqipëria ka rezultate konkurruese në raport me vendet e BE-së. Ai theksoi se 23.5% e procedurave në Shqipëri realizohen me një ofertues, ndërsa mesatarja e Bashkimit Europian është 32.5%. Ndërkohë, Suedia dhe Finlanda rezultojnë me 22.9%.
“Kemi mesatarisht 3.7 ofertues për procedurë prokurimi. Në vitin 2025, vetëm 12% e prokurimeve publike u zhvilluan me një ofertues, ndërsa mesatarja e BE-së ishte 14%”, tha Rama, duke shtuar se Shqipëria ndodhet në një fazë të avancuar në këtë sektor.
Nga ana tjetër, negociatorja për Kapitullin 5 “Prokurimi Publik” dhe Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë së Prokurimit Publik, Reida Kashta, deklaroi se institucioni ka përgatitur materialin për Bashkimin Europian me të dhëna të pesë viteve të fundit.
Ajo theksoi se deri në gusht 2026 të gjithë punonjësit e fushës do t’i nënshtrohen testimit për certifikimin sipas standardeve të reja.
Kashta nënvizoi gjithashtu se është rritur përdorimi i marrëveshjeve kuadër për të përmirësuar performancën dhe konkurrencën në prokurimet publike, ndërsa për herë të parë po matet edhe pjesëmarrja e operatorëve ekonomikë në pronësi të grave.
Sipas saj, sistemi i ri i prokurimeve publike do të përfshijë edhe elementë të inteligjencës artificiale, si pjesë e modernizimit dhe rritjes së efikasitetit të administrimit të procedurave

