Kosova vazhdon të shënojë konsum të lartë të cigareve dhe produkteve të duhanit, me shpenzime që tejkalojnë 500 milionë euro në vit. Të dhënat e fundit tregojnë rritje shqetësuese të përdorimit të nikotinës te të rinjtë, ku pothuajse një në katër të rinj përdor produkte të duhanit ose nikotinës. Ekspertët dhe institucionet shëndetësore kërkojnë masa më të rrepta për parandalimin e duhanpirjes dhe mbrojtjen e shëndetit publik.
Në Kosovë, brenda një viti importohen rreth 4 mijë tonë cigare. Vlera e tyre kalon shifrën prej 150 milionë eurove, ndërsa shpenzimet reale të qytetarëve për konsumin e cigareve dhe produkteve të duhanit e kalojnë shifrën mbi 500 milionë euro. Ky konsum konsiderohet i lartë për numrin e banorëve të vendit dhe vazhdon të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin publik, thonë ekspertët shëndetësorë.
Moshat e reja po bien përditë e më shumë pre e produkteve të reja të nikotinës, të cilat vitet e fundit promovohen në rrjete sociale, por edhe në forma indirekte si më pak të dëmshme. Megjithatë, pasojat e tyre, thotë Baraku, përfshijnë varësi, sëmundje kronike dhe rrezik të shtuar për shëndetin publik.
Kosova ende nuk e ka publikuar të plotë raportin zyrtar të Anketës Globale për Përdorimin e Duhanit te të rinjtë, GYTS 2025, megjithatë të dhënat e mbledhura tregojnë një situatë shqetësuese. Rreth 23.5% e të rinjve përdorin produkte të duhanit ose nikotinës. Kjo paraqet një rritje shumë të madhe krahasuar me raportin GYTS të vitit 2016, ku përqindja ishte 8.8%. Kjo do të thotë se pothuajse një në katër të rinj në Kosovë është përdorues i produkteve të duhanit.
Ekspertët e lidhin këtë rritje me përhapjen e cigareve elektronike, vape-ve dhe produkteve të reja të nikotinës, të cilat po bëhen gjithnjë e më të qasshme për të rinjtë.
Institucionet shëndetësore kërkojnë masa më të forta kundër reklamimit të produkteve të duhanit, kontroll më të madh në shitje dhe më shumë edukim në shkolla për parandalimin e duhanpirjes tek të rinjtë.
Kosova e ndalon me ligj që nga viti 2023 pirjen e duhanit në ambiente të mbyllura publike, por me gjithë inspektimet dhe gjobat e shumta, zbatimi i ligjit kundër duhanit nuk është i kënaqshëm.
Në Ditën Botërore pa Duhan u mbajt edhe një aktivitet ndërgjegjësues me moton: “Zbulimi i joshjes – luftimi i varësisë nga nikotina dhe duhani”, ku u tha se dita e sotme nuk është vetëm një datë simbolike në kalendarin ndërkombëtar të shëndetit publik, por një thirrje globale për vetëdijesim dhe veprim konkret në mbrojtje të shëndetit të qytetarëve./RTK

