Kryetari i Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka përshëndetur bashkimin e forcave politike shqiptare në Mal të Zi nën një subjekt të vetëm politik, Forumi Shqiptar.
Përmes një postimi publik, Ahmeti e cilësoi këtë vendim si një hap të rëndësishëm politik, duke theksuar se uniteti mbetet mënyra më e sigurt për mbrojtjen e interesave kombëtare, forcimin e përfaqësimit politik dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve.
“Përshëndes me respekt dhe kënaqësi bashkimin e forcave politike shqiptare në Mal të Zi nën një subjekt të vetëm, Forumi Shqiptar. Ky hap i rëndësishëm dëshmon se uniteti është rruga më e sigurt për mbrojtjen e interesave kombëtare, forcimin e përfaqësimit politik dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve”, ka shkruar Ahmeti.
Ai vlerësoi se bashkimi i shqiptarëve rreth vlerave dhe objektivave të përbashkëta ka qenë gjithmonë faktor kyç për suksesin kombëtar, duke shtuar se ky vendim përcjell një mesazh të fortë se interesat e qytetarëve dhe të komunitetit shqiptar duhet të jenë mbi dallimet partiake.
Ahmeti gjithashtu uroi që ky bashkim të sjellë më shumë sukses, zhvillim dhe përfaqësim më të fuqishëm për shqiptarët në Mal të Zi.
“Kur jemi bashkë, jemi më të fortë”, përfundon mesazhi i kreut të BDI-së/Zhurnal.mk .

