Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se forca politike që ai drejton mbështet protestën e paralajmëruar nga Koalicioni për Familjen, e cila pritet të zhvillohet më 1 qershor, në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve.
Ai kritikoi ashpër, siç u shpreh, idenë e përdorimit të terapive për ndryshimin e gjinisë tek të miturit, duke e cilësuar atë një praktikë të papranueshme dhe të rrezikshme.
“Sot është 1 qershori, Dita e Fëmijëve. Koalicioni për Familjen ka vendosur të organizojë një protestë dhe shanset janë që ne ta mbështesim këtë protestë. Ajo që po ndodh me terapinë për ndryshimin e gjinisë tek 14-vjeçarët është jashtë çdo kriteri biologjik dhe sociologjik”, tha Berisha.
Ai shtoi se çdo ndërhyrje e tillë në moshë të hershme përbën, sipas tij, cenim të identitetit të fëmijëve dhe të drejtave të prindërve.
“Çdo veprim para moshës së përgjegjësisë është një atentat në identitetin njerëzor. Mosha më e përshtatshme është ajo 18–22 vjeç. Ne shprehim solidaritet me Koalicionin për Familjen”, u shpreh ai.
Berisha theksoi se Partia Demokratike mbështet të drejtën e protestës dhe qëndrimet që, sipas tij, mbrojnë familjen dhe interesin e fëmijëve.

