Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e mbrojti projektin për ndërtimin e një resorti në Zvërnec, afër Vlorës, të cilin e cilësoi “të jashtëzakonshëm”, pas protestave kundër këtij investimi.
Rama, i cili tha se reagimet e shumta të qytetarëve për projektin si pasojë e “manipulimeve dhe të pavërtetave” rreth investimit tha se këto ditë e ka menduar edhe dorëheqjen.
“Ndjesë nëse jam shumë i drejtpërdrejtë dhe mbase edhe emocional, por kjo është ndjesia ime. Sepse për mua këto janë ditë shumë të habitshme. Janë ditë të habitshme që për herë të parë më kanë bërë të mendoj që t’ju përulem thellë për nderim e madh që më keni bërë dhe t’ju kërkoj ndjesë, për të ikur në katund dhe për t’ju lënë në duart që do të zgjidhni vetë pastaj për të mbrojtur Shqipërinë nga të huajt”, tha ai gjatë një mbledhjeje të Grupit Parlamentar të Partisë Sociale.
“Por kam zgjedhur të bëj atë që kam bërë gjithmonë. T’ju udhëheq drejt asaj Shqipërie që e dua po aq sa ju dhe dhe e dua po ashtu siç e doni ju. Dhe t’ju udhëheq për ta përmbyllur këtë që kemi nisur bashkërisht falë votës suaj, me të cilën ia kemi ngritur kokën çdo shqiptari kudo që është, me të cilin ia kemi dhënë vlerën që ka flamurit tonë në sytë e të huajve dhe me të cilën unë dua ta bëjmë Shqipërinë vendin që të ketë destinacionin më për t’u pasur zili në Mesdheun e sotëm. Dhe ky projekt është pjesë e kësaj përpjekjeje”, shtoi Rama.
Sulmet ndaj projektit, të cilat ai i cilësoi si politike, tha se i ka duruar për shkak të vizionit që ka për Shqipërinë. Sipas tij, pa këtë vizion, nuk i nevojitet as karrigia e kryeministrit.

