Qershori ka nisur me një atmosferë tipike vere, por sipas meteorologëve, ditët më të nxehta ende nuk kanë mbërritur. Masat ajrore me origjinë afrikane kanë përfshirë vendin, duke sjellë temperatura të larta në të gjithë territorin dhe duke paralajmëruar një javë me mot të qëndrueshëm e kryesisht të kthjellët.
Sipas parashikimeve, pas datës 5 qershor pritet një tjetër rritje graduale e temperaturave, ku termometri në disa zona mund të arrijë deri në 36 gradë Celsius. Ndërkohë, reshjet do të jenë të pakta dhe të izoluara, kryesisht në zonat juglindore të vendit.
Meteorologët theksojnë se këto masa të nxehta pritet të shfaqen herë pas here gjatë gjithë sezonit veror, duke e bërë verën 2026 një nga më të nxehtat e viteve të fundit.
Në të njëjtën kohë, vëmendja e shkencëtarëve është përqendruar te fenomeni El Niño, i cili mund të fuqizohet gjatë gjysmës së dytë të vitit. Nëse ky fenomen merr përmasa të forta, ai mund të sjellë temperatura rekord, thatësira më të gjata, rrezik të shtuar për zjarre dhe mungesë të burimeve ujore në rajonin e Mesdheut.
A po hyn Shqipëria në një verë me temperatura ekstreme? Kjo mbetet për t’u parë, por sinjalet e para tregojnë se sezoni i nxehtë sapo ka filluar.

