Ilir Meta është nxjerrë mëngjesin e kësaj të marte nga “313”, për t’u shoqëruar drejt fshatit Çepan, ku do t’i japë lamtumirën e fundit të atit të tij, Rexhep Meta.
Top Channel raporton se Meta ka dalë nga burgu në orën 07:00 të mëngjesit, nën masa të posaçme sigurie dhe i shoqëruar nga Policia e Burgjeve.
Ish-presidenti do të marrë pjesë në ceremoninë mortore që do të zhvillohet në vendlindjen e familjes së tij, në Çepan të Skraparit, ku familjarë, të afërm dhe miq do t’i japin lamtumirën e fundit Rexhep Metës.
Sipas burimeve, pas përfundimit të ceremonisë mortore, Ilir Meta do të rikthehet sërish në burg mbrëmjen e sotme. Ndërkohë, autoritetet i kanë dhënë leje edhe për ditën e nesërme, në mënyrë që të presë ngushëllimet për humbjen e të atit.
Burimet bëjnë me dije se pritjet për ngushëllime do të zhvillohen në ambientet e Rogner Hotel Tirana, nga ora 09:00 e mëngjesit deri në orën 21:00 të mbrëmjes, ku pritet të marrin pjesë familjarë, miq, bashkëpunëtorë dhe personalitete të jetës publike për të nderuar kujtimin e Rexhep Metës.
Pas përfundimit të afatit të lejes së miratuar nga autoritetet përkatëse, Meta pritet të rikthehet sërish në institucionin e vuajtjes së dënimit, në zbatim të procedurave ligjore./TCh/

