Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar në një intervistë për Reuters se Shqipëria do të vazhdojë me projektin e resortit luksoz të planifikuar nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, pavarësisht protestave të vazhdueshme për ndikimin e tij në mjedis.
Mijëra persona kanë protestuar në Tiranë dhe në jug të Shqipërisë kundër projektit, duke kërkuar anulimin e tij për shkak të ndikimit në zonën e mbrojtur të Vjosa-Narta, e cila është habitat i flamingove, fokave dhe breshkave të detit.
Reuters raporton se Rama tha se zhvilluesit do t’i “mahnitin” qytetarët me planet e tyre në muajt e ardhshëm dhe se pjesë të resortit mund të hapen për publikun para përfundimit të dekadës.
“Po ju them, do të jetë një projekt i bukur dhe ne do ta realizojmë atë dhe do të jemi krenarë që kontribuojmë për Evropën”, citohet të ketë thënë Rama.
Rama deklaroi se është zgjedhur për të realizuar projekte të tilla dhe jo për t’u udhëhequr nga njerëz që kanë ide të tjera për zhvillimin e vendit.
Reuters shkruan se projekti është ide e Jared Kushnerit dhe bashkëshortes së tij, Ivanka Trump, ndërsa firma investuese Affinity Partners është e përfshirë në projektin prej 1.4 miliardë eurosh pranë Vjosa-Nartës, si dhe në një tjetër projekt në Ishulli i Sazanit.
Sipas Reuters, Rama tha se vlera e kombinuar e këtyre projekteve mund të arrijë deri në 5 miliardë euro.
Protestat nisën në fund të muajit maj, pasi zona pranë Vjosa-Nartës u rrethua me tela me gjemba për shkak të punimeve paraprake. Rama, sipas Reuters, e cilësoi vendosjen e gardhit si “një ide të turpshme”, por minimizoi shqetësimet mjedisore.
Në këtë intervistë Rama tha se vlerësimi i ndikimit në mjedis ende nuk është përfunduar dhe do të realizohet paralelisht me zhvillimin e projektit.
“Jemi shumë krenarë për atë që kemi bërë për jetën e egër në Shqipëri. Komisioni Evropian nuk ka asnjë arsye të dyshojë në vullnetin tonë të palëkundur për të mbrojtur gjithçka që duhet mbrojtur kur bëhet fjalë për natyrën dhe jetën e egër”, deklaroi Rama për Reuters

