Rama për takimin me Macronin: Franca mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në BE

by Nexhat

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka ndarë detaje nga takimi me presidentin francez, Emmanuel Macron, që e ka zhvilluar para pak ditësh në Paris.

Takimin me Macronin, Rama e ka cilësuar si një tjetër hap në forcimin e dialogut politik mes Shqipërisë dhe Francës.

banner

Në podkastin “Flasim”, Rama ka thënë se presidentin francez ka diskutuar mbi ecurinë e partneritetit strategjik mes dy vendeve, si dhe mbi mbështetjen e Francës për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Sipas Ramës, në fokus të bisedës ishin edhe zhvillimet që lidhen me të ardhmen e BE-së dhe roli i Francës në procesin e zgjerimit.

Kreu i qeverisë shqiptare ka theksuar se Parisi mbetet një partner i rëndësishëm për avancimin e perspektivës evropiane të Shqipërisë.

“Franca, si një nga vendet që ka një peshë domethënëse në raport me zgjerimin, ka një rol të rëndësishëm për sa i përket shtytjes më përpara të një ideje se perspektiva europiane e Shqipërisë dhe e vendeve të tjera që negociojnë është e padiskutueshme, por, nga ana tjetër, duhen gjetur mekanizma të rinj, gjë që u shkrua edhe në letrën e përbashkët të Presidentit Emmanuel Macron me Kancelarin Friedrich Merz.”, ka deklaruar Rama.

Gjithashtu, Rama ka dhënë detaje edhe për vizitën e tij në Gdansk të Polonisë, në konferencën për rindërtimin e Ukrainës.

Sipas tij, aty është diskutuar jo vetëm mbështetja për Ukrainën, por në tërësi arkitektura e sigurisë evropiane në vitet që vijnë.

“Qëndrimi im, yni, i Shqipërisë, është i ditur; u rikonfirmua, ndërkohë që ishte po ashtu një vend i duhur, në kohën e duhur, për të nënvizuar se rindërtimi i Ukrainës dhe afrimi i mëtejshëm i Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Moldavinë dhe Ukrainën, në Bashkimin Europian, nuk duhen parë si dy procese të ndara, por si pjesë e të njëjtës qasje strategjike për një Europë më të qëndrueshme, për një Europë më të bashkuar, për një Europë më të sigurt“, ka thënë ai.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy