Pritet të humbasin 40 milionë euro nga BE’ja, Zulfaj: Bllokada në Kuvend la pa përmbushur gjashtë reforma të Planit të Rritjes

by Nexhat

Kryenegociatori i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian dhe Koordinatori Kombëtar për Instrumentin për Reforma dhe Rritje, Jeton Zulfaj, ka bërë të ditur se Kosova nuk ka arritur t’i përmbushë të gjitha obligimet e afatit shtesë të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian, duke paralajmëruar se si pasojë e moszbatimit të gjashtë hapave të reformave vendi rrezikon të humbë mbi 40 milionë euro,

Në një konferencë për media, Zulfaj tha se nga 62 hapa që janë në proces zbatimi, deri më 30 qershor janë përmbushur 18, ndërsa më 15 korrik Kosova do t’i drejtohet Komisionit Evropian me kërkesën për lëvrimin e fondeve për reformat e realizuara.

banner

“Në total, në zbatim e sipër deri dje janë 62 hapa. Prej tyre, 13 kanë qenë me afat shtesë deri më 30 qershor 2026, ndërkaq 49 hapat e tjerë janë në zbatim e sipër, ku 27 prej tyre e kanë afatin shtesë deri në fund të vitit 2026. Nga gjithsej 62 hapa, konsiderojmë se janë zbatuar 18 hapa, për çka më 15 korrik do të kërkojmë lëvrimin e fondeve nga Bashkimi Evropian. Për hapat që nuk arrijnë të zbatohen në periudhën shtesë, sipas instrumentit të reformave, mjetet e dedikuara për përfundimin e tyre humbin,” deklaroi Zulfaj.

Ai sqaroi se nga 13 hapat që kishin afat shtesë deri më 30 qershor, shtatë janë realizuar, ndërsa gjashtë nuk kanë arritur të përmbushen plotësisht.

“Nga këto 13 hapa që ishin pjesë e agjendës së reformave me afat shtesë, shtatë konsiderohen të zbatuar, ndërkaq gjashtë nuk kanë arritur të zbatohen plotësisht. Edhe te këta gjashtë hapa ka zbatim të disa nënhapave, kryesisht të veprimeve që varen nga qeveria, mirëpo nuk është arritur përmbushja e plotë e obligimeve”, theksoi ai.

Sipas Zulfajt, hapat e parealizuar lidhen kryesisht me miratimin e legjislacionit në Kuvend.

“Hapat që nuk kanë arritur të zbatohen deri dje janë: Ligji për Energjinë dhe Energjinë Elektrike me aktet nënligjore, Ligji për Ndihmën Shtetërore, Ligji për Inovacionin dhe themelimi i Këshillit Kombëtar dhe Fondit të Inovacionit, legjislacioni për falimentimin dhe paaftësinë paguese, pakoja prej gjashtë ligjeve të reformës në drejtësi, si dhe Strategjia për Luftimin e Krimit të Organizuar me nënhapat përkatës”, tha ai.

Ai theksoi se shumica dërrmuese e obligimeve të papërmbushura varen nga funksionimi i Kuvendit.

“Nga këto gjashtë hapa që nuk janë zbatuar, pesë prej tyre, ose 83 për qind, kanë të bëjnë me miratimin e ligjeve në Kuvend. Hapi i vetëm që lidhet me qeverinë është Strategjia për Luftimin e Krimit të Organizuar, e cila për arsye procedurale nuk mund të miratohet nga një qeveri në detyrë dhe kërkon që qeveria të jetë në kapacitet të plotë. Me fjalë të tjera, pothuajse të gjithë hapat që nuk kanë arritur të zbatohen në afatin shtesë janë si pasojë e mosfunksionimit dhe bllokadës në Kuvend”, u shpreh ai.

Zulfaj tha se mosrealizimi i këtyre reformave mund t’i kushtojë Kosovës dhjetëra milionë euro, ndërsa shuma përfundimtare do të përcaktohet nga Komisioni Evropian.

“Kostoja e përllogaritur e mosarritjes së realizimit në kohë të këtyre gjashtë hapave llogaritet të jetë mbi 40 milionë euro. Vlera e saktë do të përcaktohet nga vlerësimi i Komisionit Evropian, varësisht nëse ai do t’i marrë parasysh edhe nënhapat që janë zbatuar. Ne do të paraqesim të gjitha argumentet dhe progresin e arritur gjatë procesit të vlerësimit”, shtoi Zulfaj.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy