Ambasadori i Kosovës në Japoni, Prof. Dr. Sabri Kiçmari, priti profesoreshën Yuko Ikuta, promovuese të veprës së Nënë Terezës në Japoni

by Nexhat

Tokio, 03 korrik 2026 – Ambasadori i Republikës së Kosovës në Japoni, Prof. Dr. Sabri Kiçmari, priti në ambientet e Ambasadës profesoreshën e Universitetit Bunkyo në Tokio, znj. Yuko Ikuta, një personalitet i njohur i botës akademike japoneze, e cila ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në promovimin e figurës dhe trashëgimisë së humanistes shqiptare me famë botërore, laureates së Çmimit Nobel për Paqe, Nënë Terezës. Takimi u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, ku u vlerësua rëndësia e bashkëpunimit kulturor dhe akademik ndërmjet Kosovës, shqiptarëve dhe Japonisë, si dhe roli që studiuesit dhe intelektualët luajnë në ndërtimin e urave të mirëkuptimit ndërmjet popujve.

Me këtë rast, Ambasadori Kiçmari theksoi se kishte kënaqësinë të mirëpriste në Ambasadë profesoreshën Yuko Ikuta, duke shprehur vlerësimin e tij të lartë për punën dhe angazhimin e saj në njohjen dhe promovimin e jetës dhe misionit të Nënë Terezës në Japoni. Sipas Ambasadorit Kiçmari, profesoresha Ikuta ka dhënë një kontribut të çmuar përmes përkthimit në gjuhën japoneze të librit të Don Lush Gjergjit, kushtuar jetës dhe veprës së Nënë Terezës. Ky botim u ofron lexuesve japonezë mundësinë të njihen më nga afër me jetën, përkushtimin dhe misionin humanitar të një prej figurave më të shquara të njerëzimit. Ambasadori veçoi gjithashtu rëndësinë e titullit që libri mban në gjuhën japoneze: “Origjina ime: Lidhje të Përzemërta me Shqiptarët – Komunikimi me Nënë Terezën”, duke theksuar se ai pasqyron në mënyrë të ndjeshme lidhjen e ngushtë të Nënë Terezës me origjinën e saj shqiptare, si dhe mesazhin universal të humanizmit, dashurisë dhe solidaritetit që ajo i dhuroi botës. Në fjalën e tij, Ambasadori Kiçmari shprehu mirënjohjen e tij të sinqertë për angazhimin dhe përkushtimin e profesoreshës Yuko Ikuta në sjelljen e kësaj vepre para publikut japonez. Ai vlerësoi se puna e saj përfaqëson një urë të rëndësishme të dialogut kulturor ndërmjet Japonisë dhe shqiptarëve, duke kontribuar në forcimin e mirëkuptimit reciprok dhe në promovimin e vlerave universale që përfaqëson Nënë Tereza.

banner

Sipas Ambasadorit të Kosovës në Japoni, kontributi i profesoreshës Ikuta ndihmon që mesazhi i paqes, solidaritetit, humanizmit dhe dinjitetit njerëzor, i mishëruar në jetën dhe veprën e Nënë Terezës, të njihet dhe të vlerësohet edhe më gjerësisht nga lexuesit dhe opinioni publik japonez. Takimi ishte një dëshmi e rëndësisë që diplomacia kulturore dhe bashkëpunimi akademik kanë në afrimin e popujve dhe kulturave, duke krijuar ura të reja komunikimi dhe mirëkuptimi përmes figurave universale, siç është Nënë Tereza. Njëkohësisht, ai riafirmoi rolin e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Tokio në promovimin e vlerave kombëtare, trashëgimisë kulturore shqiptare dhe forcimin e marrëdhënieve miqësore ndërmjet Kosovës dhe Japonisë.

Ky takim u mundësua edhe fal kontributit të aktivistit Pren Domgjoni./helveticalforum.ch

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy