Marshi protestues i organizuar mbrëmë në Tetovë ishte një dëshmi e fuqishme se qytetarët nuk pranojnë të zhbëhet identiteti i qytetit të tyre. Mijëra qytetarë dolën në rrugë për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili rikthen emërtimet e periudhës së komunizmit, duke dërguar një mesazh të qartë se Tetova nuk pajtohet me imponimin e simboleve që i përkasin një kohe të tejkaluar.
Parullat “Tetova e ka larguar Josip Broz Titon”, “Për sa para u shitët?”, si dhe dhjetëra mesazhe të tjera, shprehën revoltën e qytetarëve ndaj atyre që, me veprim ose mosveprim, mundësuan këtë epilog të papranueshëm.
Bashkimi Demokratik për Integrim reagon ashpër ndaj obstruksionit të turpshëm institucional të Komunës së Tetovës dhe kryetarit të saj. Fakti që Komuna nuk e dorëzoi kërkesën përkatëse në procedurën para Gjykatës Kushtetuese nuk mund të trajtohet si një gabim administrativ. Përkundrazi, ai ngre dyshime serioze se kemi të bëjmë me një veprim të qëllimshëm, të koordinuar dhe politikisht të kalkuluar, për t’i hapur rrugë këtij vendimi.
Qytetarët kanë të drejtë të dinë kush e mori këtë vendim, pse nuk u mbrojt interesi i Tetovës dhe kush do të mbajë përgjegjësi për pasojat. Për këtë obstruksion të turpshëm kërkojmë përgjegjësi të plotë politike dhe institucionale.
Protesta ishte një sukses i jashtëzakonshëm qytetar. Ajo dëshmoi se Tetova nuk hesht përballë padrejtësisë dhe se dinjiteti, historia dhe identiteti nuk mund të bëhen objekt pazari politik. Mesazhi i qytetarëve ishte i qartë: Tetova nuk pranon rikthimin e simboleve të komunizmit dhe nuk pranon përfaqësues që nuk mbrojnë interesin e saj.
Përgjegjësia politike nuk mund të shmanget. Kryetari i Komunës së Tetovës dhe të gjithë bartësit e funksioneve publike nga VLEN që kanë kontribuar me heshtje, mosveprim ose bashkëpunim në këtë proces, kanë humbur legjitimitetin moral për të përfaqësuar qytetarët. Dorëheqja e tyre është minimumi i përgjegjësisë politike që duhet të pasojë pas këtij dështimi.
Bashkimi Demokratik për Integrim garanton se rezistenca qytetare nuk përfundon me protestën e sotme. Mbrojtja e identitetit të Tetovës, e historisë së saj dhe e së drejtës së qytetarëve për të vendosur mbi simbolikën e qytetit do të vazhdojë me të gjitha mjetet demokratike dhe institucionale.
Tetova foli qartë. Tani është radha e atyre që e sollën këtë situatë të japin përgjigje dhe të mbajnë përgjegjësi /Zhurnal.mk .

