Aeroplanët Rafale, hapi i Ukrainës drejt një flote perëndimore

by Nexhat

Nëse Franca e mban fjalën që e dha më 14 korrik që aeroplanët luftarakë Rafale do t’i dërgohen Ukrainës në një të ardhme të afërt, forcat ajrore të Kievit së shpejti do të operonin me tetë modele të ndryshme të aeroplanëve luftarakë, të dizajnuara në katër shtete të ndryshme.

Parisi njoftoi më 14 korrik se katër nga 16 aeroplanët e llojit Dassault Rafale do t’i dërgohen Ukrainës sapo pilotët e vendit dhe ekipet e mirëmbajtjes të trajnohen për të operuar me këtë fluturake franceze. Trajnimet mund të nisin “po më 2026”, sipas një deklarate të përbashkët të lëshuar nga Franca dhe Ukraina.

banner

Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, forcat ajrore të Ukrainës trashëguan dhjetëra aeroplanë të epokës sovjetike, të cilët ende janë shtylla kryesore e flotës sulmuese ajrore. Por, që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës më 2022, aleatët perëndimorë e kanë furnizuar Kievin me aeroplanë të prodhimit amerikan F-16, por edhe me disa fluturake franceze Mirage 2000. Disa aeroplanë Gripen të Suedisë pritet të operohen nga pilotët ukrainas në fillim të vitit të ardhshëm, dhe Rafalet pritet të jenë fluturaket e radhës.

Operimi i një flote kaq të larmishme të fluturakeve luftarake zakonisht nuk preferohet nga ushtritë “për shkak të humbjes së përfitimeve ekonomike dhe për shkak të nevojës për të krijuar sisteme trajnimi, mbështetjeje dhe mirëmbajtjeje për secilin lloj aeroplani”, tha për Radion Evropa e Lirë, Christoph Bergs, analist për fuqinë ajrore në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara (RUSI).

Disa shtete të NATO-s operojnë me flota të përbëra vetëm nga një model i aeroplanëve luftarakë, ndërsa edhe forcat ajrore të mëdha, si ato të Gjermanisë dhe Francës, aktualisht përdorin vetëm dy lloje të fluturakeve sulmuese.

Bergs tha se rritja e kompleksitetit të flotës ajrore luftarake të Ukrainës ka të ngjarë të jetë një hap drejt synimit afatgjatë të vendit për të hequr dorë plotësisht nga aeroplanët e epokës sovjetike. Mirëmbajtja e këtyre aeroplanëve po bëhet gjithnjë e më e vështirë për Kievin, pasi zinxhirët e furnizimeve me pjesë kyç janë ndërprerë për shkak të armiqësive pasi Rusia aneksoi Krimenë më 2014.

“Ukraina do të synojë të zëvendësojë flotën e trashëguar sovjetiko-ruse me aeroplanë krejtësisht perëndimorë”, parashikoi eksperti i fuqisë ajrore. “Prandaj, numri relativisht i vogël i aeroplanëve Gripen dhe Rafale, që do të futen gradualisht gjatë viteve të ardhshme, fillimisht do të shërbejë për një periudhë kalimtare, me gjasë të përshpejtuar, të trajnimit dhe integrimit taktik në skuadrilje”, thotë ai.

Aeroplani Rafale hyri për herë të parë në shërbim të forcave të armatosura franceze më 2001 dhe mori pjesë në operacionet e para luftarake vitin pasues, gjatë inavazionit të Afganistanit, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara. Kjo fluturake me dy motorë është dizajnuar që të luftojë aeroplanë të tjerë apo të shënjestrojë caqe në tokë, ditën dhe natën.

Rafale ka pasur sukses në tregun e eksporteve pjesërisht për shkak të faktit se shoqërohet me më pak kushte gjeopolitike sesa aeroplanët luftarakë të tjerë të ngjashëm me të të prodhuar nga Rusia, Shtetet e Bashkuara apo Kina.

Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe India aktualisht kanë flotat më të mëdha me Rafale franceze. Emri i këtij aeroplani në shqip mund të përkthehet si stuhi, erë e fuqishme apo shpërthim zjarri.

Kritika kryesore ndaj aeroplanit Rafale lidhet me koston e tij. Varësisht nga paketa e pajisjeve dhe mbështetjes, çmimi i një fluturakeje të vetëm mund të arrijë deri në rreth 250 milionë dollarë.

Edhe kostot e operimit janë të mëdha. Vlerësohet se fluturimi me një Rafale kushton nga 16.000 deri në 31.000 dollarë për një orë fluturim.

Ukraina planifikon që në fund të blejë 100 aeroplanë luftarakë Rafale, ndërsa financimi për këtë blerje do të sigurohet nga një kredi e Bashkimit Evropian prej 90 miliardë eurosh “si dhe nga çdo burim tjetër financimi”, kanë bërë të ditur Kievi dhe Parisi./ REL

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy