Disa protestues dhe oficerë policie janë lënduar gjatë një proteste të dhunshme antiqeveritare paraditen e së enjtes pranë ndërtesës së Kuvendit të Shqipërisë në kryeqytetin shqiptar.
Policia vendosi një perimetër të zgjeruar sigurie rreth Kuvendit, pasi prej ditësh protestuesit kishin paralajmëruar për mbajtjen e tubimit për të enjten.
Pjesa më e madhe e deputetëve hynë në Kuvend nga hyrja anësore, ku u përballën me thirrjet e protestuesve “Nuk na përfaqësoni”, “Parlament i krimit”, “Poshtë qeveria”, “Shqipëria kërkon revolucion”.

Protestat në Shqipëri, të quajtura “Revolucioni i Flamingove”, janë në ditën e 54-të.
Ato nisën fillimisht si kundërshtim ndaj projektit të mbështetur nga dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, për ndërtimin e një resorti në Zvërnec, afër Vlorës.
Por, më pas kërkesat u zgjeruan, duke përfshirë edhe pakënaqësi të tjera që lidhen me mbrojtjen e mjedisit, zhvillimit urban, menaxhimin e territorit dhe çështje të tjera sociale dhe politike.
Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e Qeverisë Rama dhe shpërndarjen e Kuvendit.
Gjendja para Kuvendit të enjten u tensionua kur protestuesit nisën të hedhin vezë dhe domate.
Disa protestues arritën ta heqin një pjesë të gardhit metalik dhe u përplasën me oficerët e policisë. Policia përdori ujë me presion dhe sprej me piper për t’i shpërndarë protestuesit.

Gjithashtu disa protestues tentuan të bllokojnë edhe qarkullimin e automjeteve në rrugën pranë Kuvendit duke ju bërë thirrje drejtuesve të mjeteve t’i bashkohen protestës. Policia ndërhyri për të shmangur bllokimin e rrugës.
Gjatë përplasjeve mbetën të lënduar edhe protestës, edhe punonjës të policisë. Autoritetet ende nuk e kanë treguar numrin e të lënduarve.

