Kryeredaktori i Kallxo.Com, Kreshnik Gashi, ka thënë se ishte pikërisht mediumi që ai përfaqëson, i cili e ka raportuar faqen me emrin “Lule Gjeli”.
Siç deklaroi ai, kjo faqe është bllokuar të paktën 13 herë nga “Krypometri”.
“Ne e kemi nisur këtë betejë duke qenë në njohuri këto faqe, lufta me to nuk është e lehtë dhe nuk është pa pasoja. Kur po e them këtë është se në Krypometrin, i kemi 2100 postime të tilla të bllokuara në rrjetet sociale”, u shpreh Gashi.
Gjatë javës së kaluar, shpërndarja e lajmeve të rreme, propagandës, por edhe fushata e egër linçuese ndaj figurave të njohura politike përmes rrjeteve sociale dhe profileve false, ishte në fokus të opinionit.
Në veçanti, u diskutua faqja e Facebook-ut me emrin “Lule Gjeli”.
Për të u kërkua edhe reagim institucional, si dhe nisja e hetimeve nga ana e Prokurorisë Speciale.
Madje, sot kjo faqe u denoncua nga deputetja e zgjedhur e PDK-së Blerta Deliu-Kodra.

