Vazhdon gjykimi për sulmin në Ibër-Lepenc, eksperti tregon provat që janë marrë nga vendi i ngjarjes

by Nexhat

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vazhduar gjykimi ndaj Dragisha e Jovan Viqentijeviqit si dhe Igor Dimoviqit, të akuzuar për sulmin në kanalin e “Ibër-Lepencit”. 

Eksperti i ADN-së, Fatmir Ademi, hodhi poshtë pretendimet e mbrojtjes se ekspertiza ishte kryer në Itali.

banner

Gjatë marrjes në pyetje, avokati serb Nebojsha Vllajiq e pyeti ekspertin pse ekspertiza nuk ishte kryer në Kosovë, por në Itali, duke ngritur dilema nëse arsyeja lidhej me mungesën e mjeteve, pajisjeve apo teknikës.

Ademi u përgjigj se analiza e ADN-së ishte kryer në Laboratorin e ADN-së në Prishtinë, ndërsa në Itali ishte bërë vetëm interpretimi i rezultateve për shkak të mungesës së një softueri të nevojshëm.

“Pikë së pari, ekspertiza është kryer në laboratorin e ADN-së në Prishtinë, nuk është bërë në Itali. Sa i përket nevojës së interpretimit, kjo ka të bëjë me mungesën e softuerit. Përveç kësaj, analizimin e kemi bërë edhe në mungesë të softuerit. Ne kemi bërë krahasimin tonë edhe para interpretimit të italianëve. Nuk pajtohem me konstatimin, sepse vendimin për interpretim në Romë e ka marrë Prokuroria, jo ne,” tha eksperti.

Ai shtoi se rezultatet e nxjerra nga Laboratori i ADN-së janë dërguar më pas për interpretim, ndërsa theksoi se të gjitha provat janë pranuar përmes procedurave zyrtare.

“Dëshmitë i kemi pranuar në rrugë zyrtare sipas procedurave për rastet kriminale. Hetuesia i ka sjellë me urdhër të Prokurorisë. Nuk kanë ardhur direkt në laboratorin e ADN-së, por në sektorin e pranimit. Procedurat janë të qarta. Verifikohet nëse dëshmitë janë të mbyllura, të nënshkruara si duhet dhe nëse zinxhiri i ruajtjes së provave është i rregullt. Edhe pasi kalojnë në laborator, ato verifikohen sërish para se të nisë analiza dhe çdo veprim kryhet sipas procedurave strikte,” tha Ademi.

Më pas, kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaili, e pyeti ekspertin se cilat prova, përveç fitilit ndezës, ishin marrë nga vendi i ngjarjes për ekzaminim.

Ademi tha se sipas dokumentacionit zyrtar ishin pranuar gjithsej shtatë prova, përfshirë një litar prej materiali sintetik, pjesë të djegura dhe të lagura të një çante, një kapelë, një fitil-kabllo ndezëse rreth 9 metra i gjatë, një pjesë të patentit të çantës, një tjetër fitil ndezës dhe një pjesë të zezë të çantës së shqyer.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy