Një veprim i shpejtë dhe i guximshëm i zyrtarit policor Besim Arifi ka shpëtuar jetën e një 72-vjeçari në fshatin Muzeqinë të Shtimes.
I moshuari kishte rënë aksidentalisht në bunarin e shtëpisë, në një thellësi prej rreth 10 metrash. Në pamundësi për ta nxjerrë, banorët kërkuan ndihmën e policisë.
Tre zyrtarë policorë, bashkë me shefin e ndërrimit që ishte jashtë detyrës, iu përgjigjën menjëherë rastit. Arifi zbriti në bunar dhe, me ndihmën e kolegëve, arriti ta nxjerrë të moshuarin në siguri.
72-vjeçari fillimisht u dërgua për trajtim në QKMF-në e Shtimes, e më pas në Qendrën Emergjente në Ferizaj.
Detaje ka dhënë komandanti i stacionit policor në Ferizaj, Haxhi Behluli.
“Me datën 10 gusht rreth orës 20:34, stacionin policorë në Shtime ka pranuar një informacion që Muzeqinë, në rrugën “Veteranët e Lirisë”, në familjen Ibrahimi një i moshuar ka rënë në bunar. Njësia policore në Shtime, ka vepruar në këtë drejtim, kanë qenë tre policë së bashku edhe shefi i ndërrimit, që ka qenë jashtë detyrës, iu është bashkangjitur policëve dhe kanë pa që në këtë lokacion, është një i moshuar që kishte rënë në thellësi afër 10 metra në bunarë. Disa banorë kanë qenë duke e ndihmuar të moshuarin, por ka qenë e pamundshme”, tha Behluli.
Ai bëri të ditur se shpëtimtari ishte zyrtari policor, Besim Arifi, i cili me ndihëm e policëve të tjerë, përmes shkallëve për një kohë të shkurtër e kishte shpëtuar atë.
“Një zyrtarë policorë ka vepruar dhe ka hy në bunar, me ndihmën e policëve të tjerë, përmes shkallëve dhe ka ndihmuar personin brenda dhe për një kohë të shkurtër kane arritur ta zhvendosin nga bunari… Shpëtimtari ka qenë një prej policëve në stacionin policor në Shtime qysh një kohë, prej gjeneratave më të hershme, Besim Arifi”, tha ai.
Tutje, komandanti tha se zyrtari policor nuk ka pasur lëndime gjatë shpëtimit të qytetarit.
“Nuk ka pasur lëndim, fati ka qenë që ka vepruar me maturi, i ndihmuar nga kolegët lartë, nuk ka pasur lëndim, ka kaluar shumë mirë, megjithëse qëllimi ka qenë me i dhënë ndihëm qytetarit që kishte rënë në bunar”, shtoi ai.
Personi i shpëtuar është dërguar edhe në Qendrën Kyresore të Mjekësisë Familjare në Shtime për ndihmë mjekësore, ndërsa më pas është transportuar në Qendrën Emergjente në Ferizaj për trajtim të mëtutjeshëm.
Për rastin është njoftuar prokurori i shtetit, ndërsa policia ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme.

