Cakolli i quan kundërkushtetuese vendimet e sotme të Qeverisë: Jashtë çdo kontrolli institucional

by Nexhat

Eugen Cakolli nga Instituti Demokraik i Kosovës ka reaguar për vendimet që ka marrë sot Qeveria në detyrë, në një mbledhje të mbajtur në mënyrë elektronike.

Cakolli ka thënë se këto vendime janë jashtë çdo kontrolli institucional.

banner

Përtej përmbajtjes së secilit prej 24 vendimeve të sotme, sipas tij, problemi kryesor qëndron te vetë “kabineti qeveritar” që i ka marrë, sepse 19 nga 21 anëtarët e tij janë deputetë të certifikuar dhe vazhdimi i tyre në funksione ekzekutive bie drejtpërdrejt ndesh me nenin 72 të Kushtetutës.

“Albin Kurti dhe 18 të tjerët që figurojnë në përbërjen e Qeverisë në detyrë janë tashmë deputetë të certifikuar që nga 8 korriku. Prej atij momenti, vazhdimi i tyre në Qeveri është i papajtueshëm me Kushtetutën, ndërsa mandatet e tyre qeveritare kanë përfunduar sipas Ligjit për Qeverinë. Prandaj, çdo vendim i marrë prej tyre, qoftë si ministra veçmas apo kolektivisht si anëtarë të Qeverisë, është marrë pa autoritet ligjor.”, ka shkruar Cakolli.

Ai ka thënë se ky standard tashmë është vendosur nga Gjykata Supreme në rastin e ish-ministrit Hekuran Murati, kur Gjykata e pati anuluar aktin e nxjerrë prej tij pas certifikimit si deputet, me arsyetimin se certifikimi ia kishte përfunduar mandatin qeveritar dhe kompetencën për të vepruar si ministër.

I njëjti standard, ka thënë Cakolli, vlen edhe për vendimmarrjen kolektive të Qeverisë, sidomos kur vendimet mbajnë nënshkrimin e Kryeministrit me mandat qeveritar të përfunduar.

“E sikur shkelja kushtetuese të mos mjaftonte, asaj i shtohet edhe tejkalimi i kufijve ligjorë të një Qeverie në dorëheqje. Shumica dërrmuese e 24 vendimeve të sotme shkojnë përtej punëve të domosdoshme dhe të planifikuara që ligji ia lejon gjatë kësaj periudhe, posaçërisht vendimet që lidhen me rekrutimet në pozita të larta publike.”, ka shkruar ai.

Cakolli ka thënë se të gjitha këto vendime duhet të adresohen në Gjykatën Supreme.

“Prandaj, të gjitha aktet e nxjerra pas certifikimit duhet të evidentohen, të mblidhen në një dosje të plotë dhe të kontestohen urgjentisht përmes rrugëve përkatëse gjyqësore, në mënyrë që edhe vendimmarrja kolektive e këtij kabineti të marrë përgjigje përfundimtare nga Gjykata Supreme. Bashkë me anulimin e tyre duhet të kërkohen masa të përkohshme për pezullimin e ushtrimit të mëtejshëm të kompetencave ekzekutive nga ata që janë zyrtarisht vetëm deputetë. Çdo ditë vonesë po e kthen shkeljen e Kushtetutës në metodë të qeverisjes dhe paligjshmërinë në mjet për vazhdimin e pushtetit pas përfundimit të mandatit.”, ka shkruar Cakolli.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy