Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kërcënoi sot se do ta sulmojë Omanin nëse ai ndërhyn në përpjekjet e SHBA-së në Ngushticën e Hormuzit, ndërsa konflikti me Iranin vazhdon dhe një periudhë dymujore për bisedimet e paqes skadon pa një rrugë të qartë për përfundimin e luftës, raporton CNN.
“Nëse Omani na del përpara, do ta bombardojmë”, tha Trump në një intervistë për Trey Yingst të Fox News.
Komentet e Trump vijnë teksa periudha 60-ditore për bisedimet e paqes mes SHBA-së dhe Iranit, për të cilën ishte rënë dakord në qershor, përfundoi të hënën pa u bërë të ditura ndonjë plan konkret për përfundimin e luftës. Ndërkohë, Irani tha të hënën se bisedimet me Omanin lidhur me Ngushticën e Hormuzit janë komplekse, por po vazhdojnë.
Kjo nuk është hera e parë që Trump e kërcënon Omanin, i cili është aleat i SHBA-së. Në një mbledhje të Kabinetit në maj, presidenti tha: “Omani do të sillet si gjithë të tjerët, ose do të na duhet t’i hedhim në erë.”
Trump konfirmoi gjithashtu për Fox News se administrata e tij ka vendosur një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi me Gardën Revolucionare Islamike të Iranit, por tha se nuk është në nxitim për të arritur një marrëveshje.
“Ata janë lojtarë të mirë pokeri, por po vdesin”, tha Trump. “Nuk kam ndonjë afat kohor. Nuk jam me nxitim”.
CNN i është drejtuar Shtëpisë së Bardhë për koment lidhur me kërcënimet e Trump ndaj Omanit.

