Të premten, presidenti Donald Trump tha se planifikon ta shpallë Ngushticën e Hormuzit territor të SHBA-së pasi “ta përfundojmë mposhtjen e Iranit”, gjë që, sipas tij, do të ndodhte “shumë shpejt”.
Disa ditë më parë, presidenti pretendoi se SHBA-ja kishte “kontroll të plotë” mbi këtë rrugë ujore. “Ne e zotërojmë atë dhe në një moment, ndoshta ata do të bëjnë diçka dhe pastaj do të hidhen në erë”, u tha Trump gazetarëve.
Trump ka pretenduar vazhdimisht se SHBA-ja “e zotëron” Ngushticën e Hormuzit, pjesë të së cilës përbëjnë ujërat territoriale të Iranit dhe Omanit. Megjithatë, ekspertët e së drejtës detare theksojnë se pretendimi i një territori nuk është kaq i thjeshtë.
“Sipas ligjit amerikan, pretendimi i territorit përmes një deklarate presidenciale (ose) dekreti nuk mjafton. Fillimisht duhet të plotësohen kërkesa të rëndësishme kushtetuese”, tha për CNN Jason Chuah, profesor i së Drejtës Detare në City, University of London dhe Distinguished Fellow në Maritime Institute of Malaysia.
“Sipas të drejtës ndërkombëtare, aneksimi është në kundërshtim me Kartën e Kombeve të Bashkuara. Territoret, përfshirë hapësirat ujore, mund të merren vetëm përmes marrëveshjes ose cedimit”, shtoi Chuah.
Ndërsa pushtimi i një territori mund t’i japë shtetit pushtues kontroll mbi atë zonë, ai tha se “në vetvete, nuk përcjell titull juridik”.
Simon Baughen, profesor i së Drejtës së Transportit Detar në Universitetin e Swanseas, tha se rruga drejt pretendimit të Hormuzit si territor i SHBA-së nuk ka gjasa të realizohet.
“Sipas të drejtës ndërkombëtare, kjo mund të bëhej vetëm nëse Irani do të binte dakord t’ia cedonte SHBA-së ujërat e tij territoriale në ngushticë”, tha ai. “Mendoj se ky është një skenar shumë i pamundur”.
Një rezultat më i mundshëm, sugjeroi Baughen, mund të ishte që SHBA-ja, Irani dhe Omani të bien dakord për hapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe të vendosin tarifa për anijet që kalojnë përmes kësaj rruge ujore.
Por, tha ai: “Kjo është gjithashtu e paligjshme sipas të drejtës zakonore ndërkombëtare dhe gjithashtu sipas dispozitave të Konventës së OKB-së të vitit 1982 për të Drejtën e Detit (UNCLOS)”.
As Irani dhe as Omani nuk kanë të drejta absolute mbi Ngushticën e Hormuzit, theksoi Chuah. “Liria e lundrimit mbizotëron. Ky është ligji”, tha ai.
“Ngushtica nuk është as pronë iraniane dhe as pronë omaneze në kuptimin e zakonshëm të një pasurie të paluajtshme. Ajo është territor sovran që i nënshtrohet në masë të madhe një regjimi ndërkombëtar të lundrimit detar”, tha ai.
“Një marinë mund të kontrollojë një rrugë ujore. Por vetëm duke e kontrolluar atë, nuk mund ta rishkruajë ligjin mbi titullin juridik”, shtoi Chuah.

