Ukraina kërkon të dyshuarin për skandalin e armatimit, gjurmimi i parave çon edhe në Bosnje

by Nexhat

Pothuajse katër vjet pas skandalit në të cilën u përvetësuan paratë e destinuara për blerjen e armatimit nga Ukraina për mbrojtjen ndaj pushtimit rus, çështja po hetohet nga institucionet e drejtësisë në disa shtete, ndërsa gjurmimi i parave çon edhe në Bosnje e Hercegovinë.

Prokuroria ukrainase konfirmoi për Radion Evropa e Lirë (REL) se Matias Zubak, një sipërmarrës kroat dhe pronar i njërës prej kompanive që morën pjesë në blerjen e dështuar, ka statusin e të dyshuarit dhe se është shpallur në kërkim ndërkombëtar.

banner

Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës porositi në tetor 2022 nga kompania ukrainase Lviv Arsenal 100.000 predha mortajash, me vlerë 36.6 milionë dollarësh.

Paratë u paguan paraprakisht, por predhat nuk u dorëzuan kurrë, ngjarje për të cilën REL-i kishte raportuar më herët. Përveç Lviv Arsenal, në marrëveshjen e kontraktuar morën pjesë edhe kompani nga disa vende evropiane, ndër to kompania sllovake Sevotech dhe WDG Promet nga Zagrebi.

Ndërkohë, kompania nga Zagrebi u vu në qendër të hetimeve të drejtësisë edhe në Bosnje e Hercegovinë për shkak të blerjes së fabrikës së eksplozivëve Vitezit në Bosnjën qendrore. Në dokumentet e drejtësisë ukrainase thuhet se fabrika u ble me paratë që ishin destinuar për armatimin e Ukrainës.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës konfirmoi për REL-in se Departamenti kryesor i hetimeve i Policisë Kombëtare të Ukrainës, nën mbikëqyrjen e prokurorisë, po zhvillon hetim në të cilin Zubak ka statusin e të dyshuarit.

Emri i tij ishte publikuar më herët në listën e personave të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Ukrainës që fshihen nga organet hetimore, ndërsa prokuroria ukrainase tani ka konfirmuar se ai është shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Nga Prokuroria thanë se hetimi është pezulluar pasi Zubak është shpallur në kërkim ndërkombëtar, ndërsa ligji ukrainas parashikon rifillimin e hetimeve pasi të përcaktohet vendndodhja e tij.

Kërkimi ndërkombëtar mund të zhvillohet me ndihmën e policisë ndërkombëtare, INTERPOL dhe përmes mekanizmave të tjerë të bashkëpunimit ndërkombëtar policor.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy