Pjesë e alarmit për bombë në disa institucione në Shqipëri ishte edhe Gjykata e Lezhës, ku pas marrjes së njoftimit u evakuua personeli dhe godina u rrethua nga forcat e Policisë. Shërbimet e Policisë nisën kontrollet në ambientet e gjykatës, ndërsa punonjësit u nxorën nga godina për arsye sigurie.
Për shkak të situatës, aktiviteti i gjykatës u ndërpre gjatë paradites te së enjtes, duke përfshirë edhe disa seanca gjyqësore të planifikuara, mes tyre dhe ata për vlerësimin e masave të sigurimit, shkruan rtsh.al.
Në të njëjtën ditë, në adresat zyrtare të disa institucioneve ne vend perfshire edhe Lezhen kanë mbërritur disa emaile kërcënuese nga një adresë që pretendon se është e lidhur me Shtetin Islamik (ISIS), duke vënë në lëvizje autoritetet, ndërsa burimi dhe autenticiteti i tyre mbeten ende të pakonfirmuara.
Kontrollet dhe veprimet e Policisë do të vijojnë deri në përfundimin e plotë të verifikimeve, ndërsa hetimet pritet të përcaktojnë nëse bëhet fjalë për një kërcënim konkret, një alarm të rremë apo një tentativë për të krijuar panik.

