Një konflikt mes dy vëllezërve ka përfunduar me plagosjen e njërit prej tyre në një lagje të qytetit të Korçës.
Ngjarja ka ndodhur në banesë, për motive të dobëta, ku njëri prej vëllezërve, i cili raportohet se ka probleme të shëndetit mendor, ka goditur me sëpatë vëllanë e tij.
Pas ngjarjes, autori është larguar nga vendi i ngjarjes, por është kapur pak minuta më vonë nga forcat e Komisariatit të Policisë në Korçë.
I plagosuri është transportuar në spitalin e qytetit, ku po merr ndihmën mjekësore. Ai ka marrë një plagë në shpatull dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, autori është shoqëruar në komisariat, ku po kryhen veprimet e mëtejshme për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

