Kurti:Banjska ishte përpjekje e mbështetur nga Serbia për të cenuar sovranitetin

by Nexhat

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se sulmi i armatosur në Banjskë, më 24 shtator 2023, përbënte një përpjekje për të cenuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.

Në akademinë përkujtimore kushtuar rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra gjatë sulmit, Kurti tha se zhvillimet në veri gjatë viteve të fundit kanë ndryshuar, ndërsa sipas tij, strukturat kriminale të lidhura me Beogradin kanë humbur ndikimin në atë pjesë të vendit.

banner

“Në vazhdimësi e për shumë vite është shkruar dhe përfolur për veriun e Kosovës si vatër destabilizimi, tokë e askujt, zonë e pakontrolluar ku lulëzon krimi i organizuar, strukturat paralele dhe grupet kriminale”, tha Kurti.

Ai shtoi se ndryshimet e ndërmarra nga institucionet e Kosovës u përballën me kundërshtim nga struktura që, sipas tij, ishin të organizuara dhe të drejtuara nga Beogradi.

“Kjo situatë e papranueshme dhe alarmuese duhej të ndryshonte medoemos. Ndryshimi në kalimin nga anomalia në normalitet, u përball me mobilizim të strukturave e grupeve kriminale të dirigjuara dhe organizuara nga Beogradi zyrtar”, deklaroi kryeministri.

Duke folur për sulmin e 24 shtatorit 2023, Kurti e cilësoi atë si një aksion paramilitar, për të cilin tha se ishte mbështetur, financuar, trajnuar dhe instruktuar nga Serbia.

“Sulmi paramilitar i 24 shtatorit në Banjskë tri vite më parë, u bë nga një grup terroristësh të mbështetur e financuar, trajnuar dhe instruktuar nga shteti i Serbisë, udhëhequr nga Millan Radoiçiq”, tha Kurti.

Sipas tij, pjesëtarët e grupit ishin të pajisur me armatim dhe uniforma ushtarake.

“Të veshur me uniforma taktike ushtarake e të pajisur me armatim të Ushtrisë dhe Forcave të Armatosura të Serbisë, atë mëngjes, hasën në një patrullë policore të Policisë së Kosovës, pjesëtarët e së cilës i sulmuan”, u shpreh ai.

Kurti kujtoi edhe momentin kur Afrim Bunjaku u vra gjatë përballjes me grupin e armatosur.

“Duke e aktivizuar një minë me kabllo nga distanca, terroristët serbë e vranë Rreshterin Afrim Bunjaku dhe e plagosën zyrtarin policor Alban Rashiti”, tha kryeministri.

Tre vjet pas sulmit, Kurti kërkoi që Milan Radoiçiq dhe pjesëtarët e tjerë të grupit të përballen me drejtësinë në Kosovë.

“Tre vite nga sulmi i Banjskës, Millan Radoiçiq dhe pjesëtarët e tjerë të grupit terrorist paramilitar, vazhdojnë të strehohen nga presidenti i Serbisë, teksa i ofron mbrojtje dhe shërbime. Ata duhet të përballen me drejtësinë në Kosovë dhe të gjykohen për sulmin me përmasa ushtarake të organizuar ndaj shtetit tonë dhe vrasjen e Afrim Bunjakut. Ne nuk do të ndalemi derisa të ketë drejtësi”, deklaroi Kurti.

Në fjalimin e tij, kryeministri e përshkroi Bunjakun si hero dhe tha se rreshteri ra në krye të detyrës duke mbrojtur shtetin dhe paqen.

“Afrimi, heroi ynë, i doli në ballë terroristëve të këtij agresioni shtetëror e sulmi kriminal. Ai u vra duke mbrojtur shtetin dhe paqen”, tha Kurti.

Ai theksoi se pas neutralizimit të grupit të armatosur, institucionet e Kosovës, sipas tij, zgjeruan praninë në veri.

“Pas neutralizimit të sulmit të grupit paramilitar serb, për herë të parë nisi funksionimi i plotë i shtetit dhe të gjitha institucioneve të tij në veri të vendit”, tha Kurti.

Kryeministri përmendi një sërë masash dhe zhvillimesh që, sipas tij, janë ndërmarrë në veri gjatë tri viteve të fundit. Ai tha se janë mbyllur 62 institucione paralele, janë ndalur përdorimi i dinarit serb dhe targat e patentë-shoferët e strukturave paralele serbe, ndërsa janë mbyllur edhe Posta e Serbisë dhe pikat e “NIS Petrol”.

“Periudha e ilegalitetit dhe kriminalitetit mori fund”, deklaroi Kurti.

Ai tha gjithashtu se gjatë kësaj periudhe janë hapur institucione dhe zyra të Republikës së Kosovës në veri, janë regjistruar biznese të reja dhe janë rikthyer familje në pronat e tyre.

Kurti foli edhe për aspektin e sigurisë, duke deklaruar se gjendja në veri është përmirësuar.

“Siguria u ngrit dhe zgjerua, e rrjedhimisht sundimi i ligjit mbizotëron. Psh. përgjatë vitit të kaluar nuk u shënua asnjë rast i vrasjes apo grabitjes së rëndë atje”, tha ai.

Në fund të fjalimit, Kurti tha se kontributi i Afrim Bunjakut mbetet i lidhur me punën e Policisë së Kosovës.

“Afrim Bunjaku është frymëzim dhe orientim për çdo pjesëtar të Policisë së Kosovës. Ai është dëshmia sesi zyrtari publik e mbron shtetin e së drejtës dhe të drejtën e shtetit”, përfundoi Kurti.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy