Nga AP te mediat evropiane: Kështu u raportua për deklaratën e përbashkët të Kuvendit të Kosovës ndaj Aktgjykimit në Hagë

by Nexhat

Kuvendi i Kosovës foli me zë të vetëm e gjithëpartiak kundër aktgjykimit të Hagës, ndërsa vendimi mori hov të menjëhershme edhe në media ndërkombëtare.

Me 99 vota për, deputetët miratuan deklaratën për aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

banner

Dokumenti i votuar shpreh “shqetësimin e thellë ndaj aktgjykimit të shkallës së parë” dhe godet drejtpërdrejt një prej përfundimeve qendrore të trupit gjykues.

Kuvendi “konsideron si të papranueshëm përfundimin për ekzistencën e një qëllimi kriminal të përbashkët”.

Associated Press e paraqiti votimin si një moment të rrallë uniteti politik në Kosovë, në mes të një krize të zgjatur institucionale.

Agjencia amerikane theksoi se të gjithë 99 deputetët e pranishëm mbështetën deklaratën, duke kërkuar mbrojtjen e trashëgimisë së luftës së viteve 1998-1999.

AP veçoi kërkesën për “hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore”, që do të bashkërendonte veprimet juridike, institucionale dhe diplomatike.

Qëllimi, sipas dokumentit, është “mbrojtja dhe afirmimi i së vërtetës së plotë historike mbi luftën e drejtë për liri”.

Raportimi i AP-së e lidhi deklaratën edhe me protestat që kanë pasuar aktgjykimin dhe me presionin politik mbi Qeverinë e Albin Kurtit.

European Western Balkans e cilësoi votimin si shprehjen më të fuqishme institucionale të kundërshtimit ndaj aktgjykimit në Kosovë deri më tani.

Mediumi u ndal posaçërisht në kundërshtimin e Kuvendit ndaj përfundimit për qëllim kriminal të përbashkët dhe kërkesën për strategji të unifikuar shtetërore.

Raporti nënvizoi gjithashtu se deklarata ishte harmonizuar nga VV, PDK, LDK, AAK dhe Grupi Parlamentar Multietnik.

Në fokus ishte edhe kërkesa që Dhomat e Specializuara ta respektojnë mandatin “në përputhje me vullnetin e Kuvendit të Republikës së Kosovës”.

European Interest ndoqi një linjë të ngjashme, duke e përshkruar votimin si dënim unanim të aktgjykimeve të 16 shtatorit.

Edhe ky medium theksoi frikën se aktgjykimi mund të dëmtojë perceptimin për luftën e UÇK-së dhe luftën e Kosovës për pavarësi.

Në raportim u rikthye kërkesa për veprim të koordinuar shtetëror dhe për mbrojtjen e interpretimit historik të luftës.

UA News u fokusua më drejtpërdrejt te pika më e fortë politike e deklaratës: refuzimi i përfundimit për “qëllimin kriminal të përbashkët”.

Mediumi raportoi gjithashtu kërkesën që institucionet të mbrojnë “të vërtetën dhe pastërtinë e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës”.

Në dokument, Kuvendi kundërshton “çdo përpjekje për të përmbysur të vërtetën historike të Kosovës” dhe çdo barazim me regjimin serb.

Raportimet ndërkombëtare, megjithëse me thekse të ndryshme, e vendosën në qendër pikërisht këtë përplasje mbi interpretimin historik dhe juridik të luftës.

Kuvendi e lidhi atë me drejtësinë për viktimat, të drejtën për gjykim të drejtë dhe mbrojtjen e trashëgimisë së luftës.

“E vërteta e luftës çlirimtare, drejtësia për viktimat dhe familjet e tyre dhe e drejta e të dënuarve për një gjykim të drejtë”.

Deklarata përfundon me zotimin institucional: “Kuvendi do t’i mbrojë të trija pa kompromis.”

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy