Humbja ndaj Francës dhe paraqitja e dobët kundër Italisë kanë rritur ndjeshëm pakënaqësinë e tifozëve turq, ndërsa pozita e trajnerit Vincenzo Montella në stolin e Kombëtares së Turqisë duket gjithnjë e më e pasigurt.
Ndeshja në Bursa, e zhvilluar në stadiumin e njohur si “Arena e Krokodilit”, nisi me tension. Gjatë intonimit të himnit italian pati vërshëllima nga tifozët vendas, ndërsa të njëjtat reagime u dëgjuan edhe ndaj Montellës që në minutat e para të sfidës.
Situata u përkeqësua pas një pjese të parë zhgënjyese të Turqisë. Tifozët shprehën hapur pakënaqësinë ndaj trajnerit italian dhe kërkuan shkarkimin e tij.
Sipas raportimeve nga stadiumi, reagimet ndaj presidentit të Federatës Turke të Futbollit, Ibrahim Hacıosmanoğlu, u bënë aq të forta sa ai u detyrua të largohej nga stadiumi.
Pakënaqësia ndaj Montellës nuk është e re. Trajneri italian është kritikuar prej muajsh, veçanërisht pas paraqitjes së Turqisë në Kupën e Botës, ku pritshmëritë kishin qenë të larta.
Turqia pësoi humbje 2-0 ndaj Australisë dhe 1-0 ndaj Paraguajit, rezultate që ndikuan në eliminimin e saj nga gara dhe shtuan kritikat ndaj stafit teknik.
Tashmë, pas humbjes së thellë ndaj Italisë, presioni mbi Montellën është rritur ndjeshëm. Reagimi i tifozëve dhe pakënaqësia rreth rezultateve të fundit e kanë vendosur trajnerin italian përballë një të ardhmeje të pasigurt në stolin e Turqisë

