Opinionisti Rrahman Paçarizi ka kritikuar ashpër qasjen e subjekteve politike në vend, duke vlerësuar se ato po veprojnë me mungesë të theksuar transparence dhe po bëjnë një lojë meskine vetëm për t’ia faturuar dështimet njëra-tjetrës.
Në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Paçarizi komentoi ngërçin politik dhe afatet kushtetuese, duke theksuar se liderët politikë kanë frikë të marrin përgjegjësi hapur para qytetarëve
Siç duket, kanë frikë nga marrja e zotimeve në sy të opinionit dhe po vazhdojnë të gjitha, të gjithë domethënë së bashku dhe secili veç e veç, po vazhdojnë ta luajnë atë lojën e përpjekjes për ta lënë fajin domethënë, ndërtimin e rrëfimeve të ndryshme, një lojë krejt meskine, një lojë krejt të këqija për interesa të vogla, të ngushta dhe pastaj dalin në publik dhe thonë që vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje”, tha Paçarizi.
Paçarizi kërkoi llogaridhënie dhe transparencë, duke theksuar se publiku duhet të dijë se çfarë po negociohet prapa dyerve të mbyllura.
Ai ironizoi mënyrën se si subjektet politike i mbajnë takimet në fshehtësi.
Duke folur për mënyrën se si liderët e perceptojnë mbështetjen e marrë, opinionisti nënvizoi se fuqia politike po përkthehet gabimisht në arrogancë ndaj qytetarit.
Po ashtu, Paçarizi vuri në dukje ndëshkimin që qytetarët ua dhanë partive përmes mosdaljes në votime, duke theksuar se humbja e votave nuk duhet parë thjesht si përqindje statistikore, por si pakënaqësi reale qytetare.

