Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara është shndërruar në pjesë të negociatave politike për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, vlerëson Donika Emini, njohëse e zhvillimeve politike.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Emini tha se mënyra se si është lidhur kjo nismë me procesin për presidentin, tregon se çështja e Speciales ka marrë një dimension të fortë politik.
“Ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara janë shndërruar në një nga pazaret më të mëdha politike në Kosovë për momentin”, tha Emini.
Sipas saj, kjo po ndodh në një periudhë të polarizimit të madh politik dhe shoqëror, veçanërisht pas aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit dhe protestave që pasuan.
“Vetë fakti që ligji është lidhur drejtpërdrejt me zgjedhjen e presidentit e bën shumë të qartë karakterin e tij politik. Në këtë pikë, ligji është shndërruar në një monedhë shkëmbimi në negociatat për presidentin”, tha Emini.
Si po pozicionohen partitë?
Emini e sheh qëndrimin e LDK-së ndaj projektligjit si një prej pozicionimeve më të qarta opozitare të kësaj partie gjatë vitit të fundit.
LDK-ja ka thënë se nuk mund të bëhet pjesë e nismës, duke argumentuar se ndryshimet mund të mos prodhojnë efekt juridik dhe se rruga për ndryshimin e aktgjykimeve të Dhomave të Specializuara është përmes procesit gjyqësor.
Në të njëjtën kohë, sipas Eminit, LDK-ja ka treguar fleksibilitet në çështjen e zgjedhjes së presidentit.
“Kjo është e rëndësishme, sepse LDK-ja po pozicionohet shumë qartë përballë elektoratit të saj dhe, në një masë, po e definon veten më qartë si opozitë”, tha ajo.
Ndryshe nga LDK-ja, Lëvizja Vetëvendosje e mbështeti projektligjin.
Emini thotë se në këtë çështje po shihet një “përputhje interesash” mes LVV-së dhe PDK-së, pas një periudhe negociatash mes dy partive për gjetjen e një zgjidhjeje për presidentin.
“Nuk do ta quaja domosdoshmërisht aleancë politike në këtë fazë, por është e qartë se ekziston një mirëkuptim politik rreth kësaj çështjeje”, tha ajo.
Çfarë nënkupton kjo për LVV-në dhe PDK-në?
Sipas Eminit, mbështetja e ndryshimeve i mundëson LVV-së t’i referohet qëndrimit të saj të kahershëm kundër krijimit të Dhomave të Specializuara.
LVV-ja kishte kundërshtuar themelimin e tyre në vitin 2015, ndërsa tani po mbështet një projektligj që synon, ndër të tjera, t’ua kufizojë juridiksionin.
Sipas Eminit, kjo i mundëson partisë që t’u përgjigjet njëkohësisht protestuesve, elektoratit të vet tradicional dhe një pjese të opinionit publik që e ka pritur negativisht aktgjykimin e 16 shtatorit.
Ajo thotë se për PDK-në situata është më e ndërlikuar.
Sipas saj, aktgjykimi mund të ketë rritur simpatinë ndaj partisë për shkak të lidhjes së saj historike me disa prej ish-udhëheqësve të UÇK-së, por lidhja e ndryshimeve ligjore me negociatat për presidentin mund të sjellë edhe rrezik politik.
“Nëse ligji shndërrohet kryesisht në rezultat të një marrëveshjeje mes PDK-së dhe Vetëvendosjes, të dyja partitë mund të kenë përfitime elektorale, sidomos në rast të zgjedhjeve të reja”, tha Emini.
Megjithatë, sipas saj, është ende herët të përcaktohet se cila parti mund të përfitojë apo humbasë politikisht nga zhvillimet aktuale.
Emini thotë se përtej kalkulimeve politike ekziston një çështje më e rëndësishme: nëse dhe si ndryshimet e propozuara do të mund të prodhonin efekt juridik.

