Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar me një mesazh për Çlirim Hazirin, organizatorin e protestave të mbajtura për 21 ditë radhazi në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kundër aktgjykimit të Speciales në Hagë.
Çitaku e ka vlerësuar angazhimin e Hazirit, duke thënë se ai qëndroi në ballë të protestave ditë e natë dhe se përmes zërit të tij mijëra qytetarë gjetën shprehjen e pakënaqësisë së tyre.
“Çlirim, ti e ke ba krenar babën!”, ka shkruar Çitaku, duke iu referuar babait të tij, heroit të luftës së UÇK-së, Xhavit Haziri.
Ajo ka theksuar se përmes qëndresës së tij, Haziri u bë, sipas saj, simbol i revoltës qytetare dhe i vlerave që bashkojnë qytetarët.
“Babai u ngrit për lirinë. Ti ngrihesh për dinjitetin e atyre që na e sollën atë. E njëjta dashuri për Kosovën, nga një brez te tjetri”, ka shkruar Çitaku.
“Çlirim, mos u ndal. Ruaje atë za të sinqertë dhe atë zemër patrioti që të nxori në shesh. Qytetarët kanë ende shumë për të thënë përmes teje”.

