Nga një natë me tensione deri në dhunë, në një natë që përfundoi me festë me fishekzjarre. Kosova miratoi ndryshimet në ligjin për Gjykatën Speciale dhe shmangu zgjedhjet e reja duke e zgjedhur Presidenten në sekondat e fundit të një dite plot drama.
Pas një nate me tensione deri në dhunë të hënën, mëngjesin e së martës, që ishte dita e fundit e afatit për zgjedhjen e Presidentit, nuk dukej askund mirëbesimi mes partive për ta gjetur një zgjidhje që do t’i shmangte zgjedhjet e reja.
Koha e kufizuar për kompromis shkoi shpejt dhe vetëm një marrëveshje e minutave të fundit e shpëtoi vendin nga zgjedhjet e katërta në dy vjet.
Të martën, shumica e qytetarëve nuk besonin se do të zgjidhej Presidenti deri në fund të ditës. Sipas një matje të opinionit nga Radio Evropa e Lirë, 82% besonin se Kuvendi do të shpërndahej dhe vendi do të shkonte në zgjedhje, dhe vetëm 18% besonin se do të zgjidhej Presidenti.
Zgjedhja e Presidentit dhe mundësia e fundit që kjo përbërje e Kuvendit ta miratonte përfundimisht projektligjin që parasheh ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë, ishin dy procese, fati i të cilave pashmangshëm do të varej nga njëri-tjetri në fund të ditës.
Gjykata Kushtetuese kishte përcaktuar qartë se afati për zgjedhjen e Presidentit përundonte më 6 tetor dhe se dështimi do ta çonte vendin automatikisht në zgjedhje.
Presioni nga protestuesit jashtë vazhdoi, siç pritej, ndërsa brenda Qeverisë e Kuvendit shfaqeshin para mediave dy protagonistët kryesorë të ditës: kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza.
Ata ishin takuar disa herë ditëve të fundit, pa mundur të merreshin vesh. Kryetari i LVV-së kërkonte që fillimisht projektligji për Specialen të miratohej vetëm në lexim të parë, e më pas Kuvendi të kalonte në seancën për zgjedhjen e Presidentit dhe vetëm pas kësaj të procedohet leximi i dytë i projektligjit. Hamza, ndërkaq, kërkonte miratimin përfundimtar të projektligjit dhe më pas votimin për Presidentin.
Projektligji ishte miratuar të hënën në lexim të parë dhe, megjithë mospajtimet për procedurat e ardhshme, Kurti dhe Hamza nuk kishin gjetur asnjë emër për shef të shtetit.
Protesta e qytetarëve dhe përfaqësuesve të kategorive të dala nga lufta, pas një nate plot tension dhe edhe dhunë, u mblodhën sërish të martën te Kuvendi e Qeveria.
Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu iu drejtua Gjykatës Kushtetuese herët në mëngjes për t’i kërkuar sqarim se kush mund t’i ushtrojë kompetencat presidenciale pas përfundimit të mandatit të saj gjashtëmujor, nëse Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë Presidentin.
PDK-ja dhe Aleanca bënin thirrje që të thirrej seanca për miratimin përfundimtar të projektligjit për Specialen, meqenëse bashkë nuk i bënin 40 nënshkrimet e nevojshme për thirrjen e saj.
Jashtë institucioneve kryesore të vendit, nisi protesta në mesditë.
Çlirim Haziri, njëri nga organizatorët, u bëri thirrje deputetëve që ta votojnë projektligjin në lexim të dytë.
“Kjo masë do t’ju ndjekë si hije, sepse kush luan me themelet e kombit, nuk do të gjejë paqe”, tha ai.
Ndërkohë, kryetari i PDK-së tha në një deklaratë para mediave se çështja e ligjit për Specialen dhe ajo e Presidentit “nuka janë çështje të lidhura”.
“Le të votohet ligji, pastaj jemi të hapur të bisedojmë për tema të tjera”, deklaroi Bedri Hamza.
Deputetë të PDK-së e Aleancës përsërisnin thirrjet që deputetët të ftohen në Kuvend dhe t’i votojnë përfundimisht ndryshimet në ligjin për Specialen.
Pas orës 15:00, kryeministri doli në një konferencë për media në Qeveri duke theksuar se moszgjedhja e Presidentit e çon vendin në zgjedhje, dhe duke përmendur një afat procedural që sipas tij, nuk duhej të shkelej duke e miratuar përfundimisht projektligjin për Specialen pa kaluar 72 orë.
Albin Kurti ia bëri një “ofertë shtesë e konkrete” PDK-së, duke e rikthyer emrin e Bekim Sejdiut për President – profesorit i cili ishte tërhequr nga kandidatura në shtator kur pa se nuk kishte mbështetjen e të gjithë deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Duke i kërkuar PDK-së vota për të, Kurti përmendi me bindje mundësinë që Sejdiu të zgjidhej President, pavarësisht se publikisht kishte njoftuar tërheqjen.
Kurti tha se do ta votonin projektligjin përfundimisht nëse PDK-ja zotohej se i siguron gjysmën e votave të deputetëve të tyre për ish-gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese.
“Ne po e bëjmë edhe një ofertë shtesë e konkrete: Nëse Partia Demokratike e Kosovës zotohet publikisht se i sigurojnë së paku gjysmën e votave të deputetëve të tyre për profesor Bekim Sejdiun – meqenëse pjesën tjetër i kemi bashkë me LDK-në – atëherë ne po procedojmë me votimin në leximin e dytë. Por kërkojmë nga PDK-ja publikisht – meqenëse s’po mund t’i takojmë më – të zotohen para jush se së paku gjysmën e grupit parlamentar mund të na i sjellin në seancë e të votojnë qoftë edhe kundër për Bekim Sejdiun”, tha ai.
Menjëherë erdhi reagimi i Sejdiut, i cili njoftoi edhe një herë tjetër se ishte tërhequr dhe se sërish, për këtë e kishte njoftuar edhe Kurtin.
Ai shkroi në Facebook se, pasi njoftoi tërheqjen në shtator, e konsideronte të domosdoshme ta sqaronte dhe ta konfirmonte edhe një herë atë qëndrim, pas deklaratave të kryeministrit.
Sejdiu shprehu dhimbjen që tha se po e ndjen për “ankthin dhe zhgënjimin që po e përjeton Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj”.
Hamza, në një konferencë në Kuvend, iu përgjigj Kurtit, duke i thënë se “oferta shtesë” e tij, ishte “hajt të flasim, të shesim mjegull”.
“Marrëveshja për zotin Sejdiu nuk është marrëveshje me PDK-në. Është marrëveshje me një subjekt tjetër politik”.
Duke iu përgjigjur thirrjeve të Kurtit që kërkoi gjysmën e votave të PDK-së në Kuvend, Hamza tha se “nuk shkon kështu”.
“Atëherë edhe unë po t’i kërkoj ty 29. Silli në sallë, qysh të donë le të votojnë. Por nuk shkon kështu”, tha ai.
Ramush Haradinaj nuk kishte dyshim se Kurti, sipas tij, ishte përcaktuar ta çonte vendin sërish në zgjedhje.
“Kjo është herë e katërt që po e çon vendin në zgjedhje i njëjti person, i njëjti vendimmarrës”, tha deputeti i Aleancës në një konferencë për media në Kuvend, menjëherë pas paraqitjes së Hamzës,
Haradinaj tha se Kurti “e kurthoi edhe ligjin edhe vendin” dhe “i dha një goditje të rëndë ligjit për Dhomat e Specializuara”.
Rreth orës 20:00 në mbrëmje, Kurti doli me një ofertë të re për PDK-në. I tha Hamzës se do ta kalonin në lexim të dytë projektligjin e propozuar, nëse deputetët e kësaj partie e votojnë njërin prej Glauk Konjufcës apo Feride Rushitit për President/e.
“Pra, ne ua votojmë projektligjin për Gjykatën Speciale paraprakisht e mandej sonte menjëherë votimi për president, Glauku ose Feridja”, tha ai nga Qeveria.
Hamza iu kundërpërgjigj nga Kuvendi. “Kjo nuk është aspak serioze”, tha ai.
“Kjo temë po tentohet të shndërrohet në pazare të minutave të fundit”, tha Hamza.
Kryetari i PDK-së tha se “qëllimi (i Kurtit) është si ta përdorë ligjin thjesht dhe direkt për shantazh për ta arritur qëllimin politik për ta pasur një president politik dhe për ta përmbyllur plotësisht kapjen e institucioneve të shtetit”.
Hamza theksoi se do të duhej të kalonte ligji në leximin e dytë dhe pastaj të diskutonin për një marrëveshje për Presidentin.
Kurti priti rreth dy orë, për ta bërë një ofertë tjetër, kur kishin mbetur më pak se dy orë afat. Tha se partia e tij do t’ia votojë fillimisht ndryshimet në lexim të dytë në ligjin për Specialen, nëse PDK-ja zotohet se e voton kryetaren e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Justina Shiroka Pulën për Presidente.
“Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, le të dalë publikisht sonte, pas meje menjëherë, që 22 deputetët e grupit parlamentar të PDK-së zotohen bashkë se marrin pjesë me votim në zgjedhjen e presidentit, ne po ia votojmë projektligjin për Gjykatën Speciale paraprakisht”, tha ai.
Pas pak, Hamza doli në konferencë dhe tha se ky propozim ishte i pranueshëm për PDK-në.
Ai e propozoi deputeten Eliza Hoxha si kundërkandidate dhe u nis bashkë me 22 deputetë të partisë së tij për në sallën kryesore të Kuvendit.
“Do të shkojmë në sallën e Kuvendit dhe presim ta votojmë ligjin dhe ta përfundojmë këtë”, tha ai.
Po kalonin minutat e fundit të afatit.
Shiroka-Pula u duk e painformuar për propozimin, ndërsa në mesnatë u gjend në Kuvend.
Para se ajo të mbërrinte në Kuvend, deputetët miratuan me 88 vota për ndryshimet në ligjin për Specialen. Protestuesit jashtë nisën festën me fishekzjarre.
Menjëherë u organizua edhe votimi për Presidenten dhe Shiroka-Pula mori 81 vota.
Pasi u betua si Presidente, ajo tha se e pranoi “me përgjegjësi” detyrën e re”.
“Ky mandat nuk i përket vetëm një personi, por qytetarëve dhe shtetit”, tha ajo në fjalimin e saj para deputetëve, duke u zotuar se do të jetë presidente e të gjithë qytetarëve, se do ta mbrojë Kushtetutën dhe interesin e vendit.

