Lëvizja e madhe shoqërore që përfshiu Francën në vitet 2018 dhe 2019, e njohur si «Jelekët e Verdhë», ka njoftuar qindra protesta për të shtunën e ardhshme, kundër kostos së lartë të jetesës. Synimi është që të «rikthehen në rrugë», duke përfituar nga vala e zemërimit të nxënësve të shkollave të mesme dhe studentëve, për të denoncuar veçanërisht inflacionin rekord, gjashtë muaj përpara zgjedhjeve presidenciale.
Lëvizja protestuese, e cila nisi më 17 shtator në rajonin e Parisit, është përhapur në të gjithë Francën, ku studentët dhe disa sindikata janë bashkuar me nxënësit.
Për javë të tëra, thirrjet për rikthimin e Jelekëve të Verdhë në protesta më 17 tetor — veshja simbolike e lëvizjes që u shfaq pas ardhjes në pushtet të presidentit Emmanuel Macron — kanë qarkulluar në rrjetet sociale. Megjithatë, ato janë shtuar ndjeshëm ditët e fundit, të nxitura nga zemërimi i nxënësve të shkollave të mesme, të cilët kërkojnë më shumë burime për arsimin.
Kjo «bashkim i mundshëm i protestave», që shqetëson autoritetet, vjen në një kohë tensionesh të larta shoqërore, të nxitura nga inflacioni, i cili arriti në 3,1% në bazë vjetore në shtator, niveli më i lartë që nga janari i vitit 2024. Situata rëndohet edhe nga rënia e fuqisë blerëse në një vend me borxhe të larta, i cili po ndiqet nga afër nga tregjet financiare.
Nga pikëpamja politike, partia e majtë radikale «Franca e Papërkulur» (LFI) ka kërkuar prej javësh këtë «bashkim», duke shpresuar të përfitojë politikisht prej tij. Aktualisht, në sondazhe kryeson Marine Le Pen, kandidatja e së djathtës ekstreme.
Sot, organizatat kryesore rinore, të cilat kanë protestuar që nga mesi i shtatorit për kushte më të mira mësimi dhe kundër platformës së pranimit në universitete, Parcoursup, u kanë bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen mobilizimit.
«Jelekët e Verdhë dhe rinia»
Një thirrje në internet, me titullin «Jelekët e Verdhë dhe Rinia», u bën thirrje «Jelekëve të Verdhë, Gjeneratës Z, të indinjuarve, fermerëve, zjarrfikësve, punëtorëve, mësuesve, punonjësve të shëndetësisë, aktivistëve për klimën, banorëve të lagjeve të pafavorizuara dhe pensionistëve» që të bashkohen rreth kërkesave të tyre.
Rritja e kostos së jetesës, veçanërisht e çmimeve të karburanteve; ngrirja e përfitimeve sociale dhe e pagave të nëpunësve civilë në projektbuxhet; dhuna dhe represioni policor; kritikat ndaj një demokracie ku «votojmë çdo pesë vjet dhe pjesën tjetër të kohës duhet thjesht të heshtim»; mbyllja e shërbimeve publike; mungesa e mësuesve; kundërshtimi i platformës Parcoursup; si dhe denoncimi i kapitalizmit që «shfrytëzon jetën».
Lista e kërkesave të kësaj thirrjeje synon të përfshijë të gjithë zemërimin e shoqërisë.
«Nuk u koordinuam paraprakisht me personalitete të tjera për të bërë thirrje për protesta, por të gjithë patëm të njëjtin reagim kur pamë dhunën policore ndaj nxënësve të shkollave të mesme», deklaroi për Agjencinë Franceze të Lajmeve (AFP) François Boulo, një nga figurat më të njohura të lëvizjes së Jelekëve të Verdhë.
Ai është një nga drejtuesit që bëjnë thirrje për protesta të shtunën, së bashku me figura të tjera të lëvizjes që shfaqen në media, si Jérôme Rodrigues, Priscillia Ludosky, Maxime Nicolle etj.
Një lëvizje e larmishme
Për të shtunën janë planifikuar protesta dhe bllokime në qytete, ngritje barrikadash dhe tubime në rrethrrotullime, ura, pika karburanti, pika pagesash rrugore, stacione hekurudhore, rafineri dhe depo nafte.
Një hartë bashkëpunuese kishte regjistruar mëngjesin e sotëm më shumë se 1.000 aktivitete të tilla në të gjithë Francën.
Autoritetet, të cilat presin trazira shoqërore përpara zgjedhjeve presidenciale, vënë në dukje natyrën jashtëzakonisht të larmishme të mobilizimit, por parashikojnë pjesëmarrje më të ulët të të rinjve për shkak të fillimit të pushimeve shkollore.
Të gjitha zonat përreth vendeve të ndjeshme — pallatit presidencial, zyrave të kryeministrit, Asamblesë Kombëtare etj. — pritet t’i nënshtrohen ndalimit të protestave.
Sipas studiuesit Paolo Stupia, bashkautor i librit «Gjeopolitika e Rinisë», «dinamika e krizave të shumta, në të cilat disa të rinj në shkolla ndihen të bllokuar» — ndryshimet klimatike, pasiguria në punë, vështirësitë për të hyrë në tregun e punës dhe frika nga ardhja në pushtet e së djathtës ekstreme — «mund të shpjegojë bashkimin rreth kërkesave më të gjera».
«Reagimi i policisë mund të krijojë gjithashtu ura lidhëse» mes nxënësve të shkollave të mesme dhe Jelekëve të Verdhë, të cilët janë përballur me «një represion shumë të ashpër», theksoi ai.
«Thirrje e papranueshme për dhunë»
Kryeministri Sébastien Lecornu deklaroi se «lëvizja e nxënësve të shkollave të mesme» në Francë po shndërrohet në një «lëvizje të dhunës urbane», duke dënuar «një thirrje absolutisht të papranueshme për dhunë» në disa zona.
Duke iu referuar konkretisht hedhjes së fishekzjarrëve drejt shkollave të mesme dhe «hyrjeve me forcë» në to, kryeministri argumentoi se këto veprime përbëjnë «një fyerje ndaj nxënësve të shkollave të mesme», të cilët dëshirojnë të shprehin «shqetësimin» dhe «pakënaqësinë» e tyre, ose të «kërkojnë gjëra nga qeveria apo këshillat rajonalë».
«Intensiteti i dhunës është rritur edhe më shumë gjatë ditëve të fundit», deklaroi ai, pas disa javësh protestash dhe bllokimesh të shkollave.

