Refuzimi i Bekim Sejdiut-Lushaku: Si rezultat i kësaj, ne s’ishim më faktor përcaktues në zgjedhjen e presidentit

by Nexhat

Pas disa takimeve mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, Bekim Sejdiu ishte propozuar si kandidat i përbashkët për president, por kandidatura e tij nuk mori mbështetjen e gjashtë deputetëve të LDK-së. Kjo bëri që marrëveshja mes dy partive të dështoj.

E pyetur në emisionin Rubikon nëse LDK-ja u dorëzua shpejt pas refuzimit të deputetëve të saj për ta votuar Sejdiun, shefja e Grupit Parlamentar të kësaj partie, Jehona Lushaku-Sadriu, tha se kjo ishte mundësia që kishte LDK-ja, duke shtuar se arritja e konsensusit varet nga gatishmëria e të dyja palëve.

banner

“Kaq ishte mundësia jonë. Edhe konsensusi arrihet e varet edhe nga pala tjetër”, është shprehur ajo

Lushaku-Sadriu ka kritikuar gjithashtu tendencën e Vetëvendosjes për t’i imponuar vendimet për shkak të numrave që ka në Kuvend. Sipas saj, kandidatura e Bekim Sejdiut ishte mbajtur nga kryeministri Albin Kurti, pasi nuk kishte konsensus për një kandidat tjetër.

Pavarësisht dështimit të marrëveshjes me LVV-në, LDK-ja qëndroi në sallë gjatë votimit për presidenten Justina Shiroka Pula, e cila u zgjodh pas marrëveshjes mes LVV-së dhe PDK-së.

Lushaku-Sadriu e ka përshëndetur zgjedhjen e presidentes, duke theksuar se LDK-ja mbetet e përkushtuar ndaj institucioneve të vendit, edhe kur marrëveshjet politike arrihen pa pjesëmarrjen e saj.

“Është faktike, ne nuk ishim faktor përcaktues për zgjedhjen e presidentit. Në fund, ne ishim aty në sallë, nuk ishte marrëveshja jonë, e uruam, sepse ne jemi prapëseprapë parti shtetformuese dhe dëshirojmë më të mirën e vendit. Jemi parti institucionaliste që i respekton deri në fund institucionet”, ka deklaruar Lushaku-Sadriu në Rubikon. 

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy