Kryetari i Prishtinës, Perparim Rama, ka bërë homazhe në nderim të jetës, veprës dhe sakrificës së intelektualit dhe veprimtarit të çështjes kombëtare, Idriz Rrecaj.
Përmes një postimi, Rama ka vlerësuar kontributin e Rrecajt për Kosovën, duke theksuar se ai i shërbeu vendit në kohë të vështira, kur angazhimi për liri mund t’i kushtonte gjithçka,
“Madhështia e njerëzve si Idriz Rrecaj qëndron pikërisht këtu, ata nuk pritën që liria të vinte për t’i shërbyer Kosovës. I shërbyen atëherë kur kjo mund t’u kushtonte gjithçka”, ka shkruar Rama.
Ai ka shprehur gjithashtu respekt dhe mirënjohje për familjen Rrecaj, e cila për 27 vjet është përballur me dhimbjen e mungesës dhe pasigurinë për fatin e të afërmit të tyre.
Rama ka theksuar se gjetja e eshtrave të Idriz Rrecajt në një varr masiv në Zubin Potok dëshmon se krimet e luftës nuk mund të fshihen nga koha.
“Idriz Rrecajn e zhdukën fizikisht, por nuk arritën ta zhduknin as veprën, as idealin, as emrin e tij”, ka deklaruar Rama.

