Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se Uashingtoni do t’i vazhdojë përpjekjet për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
Gjatë një takimi me zyrtarë të Azisë Qendrore në Uzbekistan, ai paralajmëroi se konflikti rrezikon të përhapet përtej dy vendeve.
Duke folur për gazetarët në Samarkand, më 19 tetor, Rubio mbrojti përpjekjet e presidentit amerikan, Donald Trump, për të zhvilluar negociata mes Moskës dhe Kievit.
Ai pranoi se përparimi ka qenë i kufizuar, por tha se SHBA-ja mbetet e gatshme të shfrytëzojë çdo mundësi për arritjen e një marrëveshjeje paqeje.
“Askush nuk po e fiton këtë luftë”, tha Rubio.
“Njerëzit po vdesin çdo ditë. Çdo ditë ka shpërthime dhe shkatërrime”, tha ai, raporton Radio “Evropa e lirë”.
Vizita e Rubios në Uzbekistan, ku ai u shoqërua nga afro 300 përfaqësues të bizneseve amerikane, vuri në pah edhe përpjekjet e Uashingtonit për të zgjeruar marrëdhëniet ekonomike me Azinë Qendrore.
Kina është bërë partnerja kryesore tregtare e rajonit, ndërsa Rusia vazhdon t’i mbajë lidhjet e hershme ekonomike dhe të sigurisë me vendet e tij.
Gjatë takimit me ministrat e Jashtëm të Kazakistanit, Kirgizisë, Taxhikistanit, Turkmenistanit dhe Uzbekistanit, në kuadër të formatit C5+1, Rubio tha se SHBA-ja dëshiron ta forcojë praninë e saj në rajon, pa u kërkuar këtyre vendeve të zgjedhin mes fuqive të mëdha.
I pyetur për raportimet se presidenti rus, Vladimir Putin, kishte propozuar një takim me Trumpin dhe presidentin kinez, Xi Jinping, për të diskutuar përfundimin e luftës, Rubio tha se ka pasur bisedime për një takim të mundshëm, por se, sipas tij, ende nuk janë finalizuar të gjitha përgatitjet.
Rubio theksoi se Trump mbetet i përkushtuar për t’i dhënë fund luftës dhe se Uashingtoni do të vazhdojë të kërkojë mundësi për negociata, pavarësisht mungesës së përparimit deri më tani.
“Kjo nuk është çështje penale”, tha Rubio, kur u pyet se çfarë provash ka administrata amerikane se Putin është serioz në lidhje me negociatat e paqes.
“Këtu bëhet fjalë për diplomaci dhe në diplomaci duhet të vazhdosh të përpiqesh”, tha ai.
Kryediplomati amerikan shtoi se arritja e një marrëveshjeje do të varet, në fund të fundit, nga gatishmëria e të dyja palëve për të bërë lëshime.
Rubio paralajmëron për rreziqe përtej Ukrainës
Rubio mbrojti, gjithashtu, vendimin e administratës amerikane për të pezulluar disa sanksione për 60 ditë, duke thënë se synimi është t’u jepet mundësi negociatave mes Rusisë dhe Ukrainës.
Ai përmendi pasojat gjithnjë e më të rënda të luftës në njerëz dhe në ekonomi, duke iu referuar pretendimit të përsëritur të Trumpit se deri në 25.000 njerëz vriten çdo muaj në luftime.
Rubio paralajmëroi se lufta paraqet rreziqe edhe për vendet e tjera, veçanërisht në Evropën Lindore.
Sipas tij, dronët që devijojnë nga kursi për shkak të ndërhyrjeve elektronike, operacionet e dështuara të sabotazhit dhe incidente të tjera mund të shkaktojnë dëme në vendet fqinje dhe të nxisin një konflikt më të gjerë.
Ai shtoi se SHBA-ja dëshiron t’i japë fund luftës jo vetëm për shkak të pasojave shkatërruese të saj, por edhe për të shmangur rrezikun e përshkallëzimit të konfliktit.
I pyetur për deklaratën e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, se Uashingtoni kishte ndërprerë përkohësisht shkëmbimin e disa informacioneve të inteligjencës me Kievin, përpara se ta rifillonte atë, Rubio mohoi se kishte pasur ndonjë ndërprerje.
“Nuk e di nga i merr ai këto informacione apo pse i thotë këto gjëra para mediave”, tha Rubio.
Ai nuk pranoi të komentonte as raportimet se Ukraina nuk ishte paralajmëruar paraprakisht për sulmet ruse me raketa balistike ndaj Kievit, duke thënë se nuk i dinte hollësitë e incidentit.
Megjithatë, Rubio pranoi se zyrtarët amerikanë kishin shqyrtuar më herët një problem me softuerin e sistemit ukrainas për paralajmërim të hershëm të sulmeve.
Rubio tha se SHBA-ja nuk e ka ndryshuar praninë e saj diplomatike në Kiev, ndonëse siguria e diplomatëve dhe objekteve diplomatike amerikane vazhdon të jetë shqetësim.
I pyetur nëse marrëdhëniet mes administratës Trump dhe asaj të Zelenskyt ishin prishur rrënjësisht, Rubio tha se prioritet i Uashingtonit mbetet përfundimi i luftës.
Ai konfirmoi se Ukraina dëshiron ta zgjerojë përdorimin e sistemit të komunikimeve satelitore, Starshield, i cili kontrollohet nga Departamenti amerikan i Luftës, për të kryer sulme përtej territorit ukrainas.
Por, Rubio nuk pranoi të jepte hollësi të tjera për negociatat lidhur me këtë çështje.

