KGB-ja ndërton kompleks mbi varrezat historike katolike në Minsk

by Nexhat

Paval Khadzinski e frekuenton Kishën e Shën Rokut në Minsk që i vogël.

Një nga paraardhësit e tij, i cili kishte jetuar në shekullin XIX, ishte varrosur në varrezat katolike pranë kishës, në lagjen Zalataya Horka, e njohur edhe si Kodra e Artë, në qendër të kryeqytetit bjellorus.

banner

Khadzinski, 41 vjeç, kujton se kur pranë kishës u ndërtua një kënd lojërash, besimtarët shpresonin që aty të krijohej edhe një park i gjelbër.

Por, në vend të tij, sot ndodhet një kantier i madh ndërtimi, që zë një pjesë të konsiderueshme të varrezave historike.

Këto varreza kishin mbijetuar pjesërisht edhe gjatë periudhës sovjetike, kur disa pjesë të tyre ishin shkatërruar ose shfrytëzuar për ndërtime.

Qeveria e udhëheqësit autoritar bjellorus, Aleksandr Lukashenko, dha shumë pak informacione për projektin.

Pamjet satelitore të verës së vitit 2025 tregonin një gropë të madhe ndërtimi, ndërsa deri në shkurt të vitit 2026 aty u ngrit struktura e një ndërtese.

Në disa dokumente zyrtare, objekti përmendet vetëm si “ndërtesë shumëfunksionale”, ndërsa në të tjera nuk përmendet fare.

Shërbimi i Bjellorusisë i Radios Evropa e Lirë arriti të siguronte dokumente të projektit dhe bisedoi me disa persona që kanë njohuri për ndërtimin.

Nga këto të dhëna zbuloi se në vendin e ish-varrezave po ndërtohet një kompleks i madh për Akademinë e Sigurisë Kombëtare të KGB-së – agjencisë kryesore të sigurisë në Bjellorusi, e njohur për praktikat e saj represive.

Radio Evropa e Lirë zbuloi gjithashtu se ndërtimi po realizohet në bazë të një dekreti që duket se është nxjerrë në fshehtësi nga Lukashenko.

Ky dekret u mundëson autoriteteve të anashkalojnë një sërë ligjesh që janë ende në fuqi dhe që synojnë mbrojtjen e varrezave dhe vendeve të tjera me rëndësi historike.

Objekti në ndërtim, ngjitur me Kishën e Shën Rokut.
Objekti në ndërtim, ngjitur me Kishën e Shën Rokut.

Ndërtimi po realizohet në një kohë kur presioni ndaj Kishës Katolike në Bjellorusi vazhdon, pavarësisht shenjave të përmirësimit të marrëdhënieve mes Polonisë, me popullsi kryesisht katolike, dhe Bjellorusisë, ku mbizotëron krishterimi ortodoks.

Marrëdhëniet mes dy vendeve ishin prej kohësh të tensionuara.

Që nga fillimi i këtij viti, së paku 20 priftërinj katolikë polakë u ndaluan të ushtrojnë shërbesën fetare ose u detyruan të largohen nga Bjellorusia.

Shumë priftërinj polakë kishin shkuar në Bjellorusi për të ndihmuar në ringritjen e komuniteteve katolike, pas dekadash shtypjeje gjatë periudhës sovjetike.

Disa prej tyre u shërbyen komuniteteve vendore për dhjetëra vjet.

“Ne kemi një dekret presidencial”, tha Yuliya Serada, kryeinxhiniere e projektit të ndërtimit, kur u pyet se si ishte lejuar realizimi i tij, pavarësisht ligjeve që mbrojnë zonën historike.

Në përgjigje të pyetjeve të tjera, Serada tha se statusi i zonës si vend i mbrojtur nuk kishte ndryshuar.

Kjo sugjeron se dekreti presidencial ka mundësuar përjashtime nga kufizimet ligjore për këtë projekt.

Ajo tha gjithashtu se inxhinierët nuk kanë planifikuar kryerjen e punimeve arkeologjike, që zakonisht kërkohen në zona të tilla, dhe se nuk e dinte se si do të trajtohej dheu i nxjerrë gjatë gërmimeve.

“Është thjesht gabim”

Arkitektë të pavarur dhe kundërshtarë të Qeverisë thonë se projekti dëshmon se autoritetet bjelloruse i zbatojnë ligjet në mënyrë selektive.

Bjellorusia udhëhiqet nga Aleksandr Lukashenko, i cili ka kufizuar vazhdimisht liritë themelore dhe ka manipuluar zgjedhjet për të zgjatur qëndrimin e tij në pushtet.

Ai u zgjodh për herë të parë në vitin 1994 dhe që atëherë vazhdon ta qeverisë vendin me rreth nëntë milionë banorë.

Yuliya Serada merr një mirënjohje nga kreu i Kishës Ortodokse Bjelloruse në vitin 2025.
Yuliya Serada merr një mirënjohje nga kreu i Kishës Ortodokse Bjelloruse në vitin 2025.

“Ata as që u përpoqën të krijonin përshtypjen se po e zbatonin ligjin”, thotë një arkitekt dhe restaurues bjellorus, i cili merret me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Ai nuk do që të identifikohet për arsye sigurie.

“Me shumë gjasë, ata shkuan drejtpërdrejt te Lukashenko dhe i thanë: ‘Duam të ndërtojmë këtu, por ligji nuk na lejon’. Dhe ai u përgjigj: ‘S’ka problem, ja urdhri, vazhdoni dhe ndërtoni’”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Një ligj i miratuar në vitin 2001 ndalon ndërtimin e objekteve të reja në vendet ku ndodhen varreza të vjetra, me përjashtim të objekteve përkujtimore dhe fetare.

Po ashtu, plani për mbrojtjen e zonës, i miratuar nga Ministria e Kulturës në vitin 2018, ndalon edhe vendosjen e rrjeteve të infrastrukturës, si ato të ujësjellësit, kanalizimit apo energjisë, në territorin e ish-varrezave.

“Varrezat janë varreza. Askush nuk do të duhej të ndërtonte aty”, thotë për Radion Evropa e Lirë aktivisti i njohur bjellorus për të drejtat e njeriut dhe fituesi i Çmimit Nobel për Paqe në vitin 2022, Ales Byalyatski.

Byalyatski, i cili kaloi disa vite në burg përpara se të lirohej dhjetorin e kaluar, në kuadër të një marrëveshjeje mes Shteteve të Bashkuara dhe Bjellorusisë, kujton se në vitet 1990, kur ishte anëtar i Komisionit për Kulturë në Këshillin Bashkiak të Minskut, ndërtimet në territorin e ish-varrezave konsideroheshin të papranueshme, pavarësisht vendndodhjes së tyre.

Ndërtimi i një qendre trajnimi për KGB-në në këtë vend “duket shumë cinik”, thotë ai, duke kujtuar përndjekjen e Kishës Katolike nga shërbimet sovjetike të sigurisë dhe presionin që ajo vazhdon të përjetojë edhe sot.

“Është thjesht gabim”, thotë Byalyatski.

Kisha e Shën Rokut dhe zona përreth, në një fotografi të vitit 2018.
Kisha e Shën Rokut dhe zona përreth, në një fotografi të vitit 2018.

Kisha Ortodokse e Bjellorusisë, e cila ka ndikimin më të madh fetar në këtë vend, është e lidhur me Kishën Ortodokse të Rusisë, me seli në Moskë, dhe ka marrëdhënie të ngushta me shtetin.

Çështjet që lidhen me vendet e trashëgimisë historike dhe kulturore në Bjellorusi shqyrtohen, ndër të tjera, nga Këshilli Republikan për Politikën Historike, i cili funksionon në administratën e Lukashenkos.

“Një gëzim i madh”

Henadz Krasko, zëvendësdrejtori i parë i Akademisë së Sigurisë Kombëtare, është anëtar i këtij këshilli.

Krasko nuk iu përgjigj thirrjeve telefonike për koment, ndërsa Radio Evropa e Lirë nuk arriti të kontaktonte as me përfaqësuesit e Akademisë së Sigurisë Kombëtare.

Një plan i propozuar nga famullia në vitin 2019 për hapësirën pranë kishës.
Një plan i propozuar nga famullia në vitin 2019 për hapësirën pranë kishës.

Në verën e vitit 2018, pranë kishës u hap një park i vogël me kënd lojërash për fëmijë.

Priftërinjtë dhe besimtarët ndihmuan në krijimin dhe mirëmbajtjen e kësaj hapësire.

Në tetor të po atij viti, territori i ish-varrezave u përfshi në një zonë të mbrojtur, me vendim të Ministrisë së Kulturës.

Në atë zonë ndaloheshin ndërtimet dhe vendosja e infrastrukturës nëntokësore.

“Kjo është një garanci se në këtë zonë nuk do të ketë ndërtime. Ajo tani është nën mbrojtjen e shtetit”, deklaroi në vitin 2019 për “Vatican News” prifti i Kishës së Shën Rokut, Yury Sanko.

“Është një gëzim i madh që varrezat Zalataya Horka, të cilat nuk u shkatërruan plotësisht gjatë periudhës sovjetike, do të ruhen”, shtoi ai.

Por, kjo mbrojtje nuk zgjati shumë.

Programi shtetëror i investimeve për vitin 2024, i miratuar nga Lukashenko, përfshinte një dispozitë për ndarjen e fondeve për projektimin dhe studimet paraprake, për “ndërtimin e një objekti shumëfunksional në rrugën Zalataya Horka, numër 5 dhe 5a, në Minsk”.

Adresa përfshinte një pjesë të konsiderueshme të territorit të ish-varrezave.

Një imazh satelitor i Zalataya Horkas nga Planet Labs, ku zona e mbrojtur është ngjyrosur me të kuqe, kantieri i ndërtimit është kufizuar me pika të bardha, ndërsa Kisha e Shën Rokut me pika të gjelbra.
Një imazh satelitor i Zalataya Horkas nga Planet Labs, ku zona e mbrojtur është ngjyrosur me të kuqe, kantieri i ndërtimit është kufizuar me pika të bardha, ndërsa Kisha e Shën Rokut me pika të gjelbra.

Programi nuk jepte asnjë informacion për qëllimin e ndërtesës, ndërsa Qeveria nuk e ka bërë publik deri më sot.

Në shkurt dhe mars të këtij viti, administrata lokale organizoi konsultime publike për ndryshimet në planin e zhvillimit të zonës Kodra e Artë.

Por, dokumentet e paraqitura para banorëve parashihnin ndërtimin e një sheshi të vogël në territorin e ish-varrezave.

Në to nuk përmendej fare kompleksi, ndërtimi i të cilit kishte nisur prej muajsh.

Depo për armë

BelPol, një organizatë e ish-zyrtarëve të shërbimeve të sigurisë në Bjellorusi, raportoi në vitin 2023 se në territorin e varrezave mund të ndërtohej një objekt i ri i Akademisë së Sigurisë Kombëtare, me një konvikt të paraparë për 150 studentë.

Dokumentacioni i projektit, i siguruar nga Radio Evropa e Lirë, tregon se kjo hapësirë i është ndarë Akademisë së Sigurisë Kombëtare, e cila është në varësi të KGB-së.

Sipas planit të detajuar të ndërtimit, ndërtesa e akademisë do të jetë shumë më e madhe se kisha pranë saj.

Projekti zë një sipërfaqe edhe më të gjerë për shkak të hapësirës së paraparë për tubacione, linja elektrike dhe infrastrukturë tjetër.

Dokumentet përshkruajnë një kompleks të madh, të përbërë nga tri pjesë, me sipërfaqe të përgjithshme prej rreth 36 mijë metrash katrorë.

Njëra prej tyre, një ndërtesë gjashtëkatëshe që do të shërbejë për mësim dhe akomodim, është projektuar për 1.250 studentë dhe do të ketë 627 shtretër.

Një paraqitje vizuale e ndërtesës së planifikuar të Akademisë së Sigurisë Kombëtare, bazuar në dokumentacionin e projektit.
Një paraqitje vizuale e ndërtesës së planifikuar të Akademisë së Sigurisë Kombëtare, bazuar në dokumentacionin e projektit.

Në katin nëntokësor të kësaj pjese të kompleksit, të quajtur Blloku A, janë paraparë një poligon qitjeje me sipërfaqe prej gati 600 metrash katrorë, si dhe një depo e veçantë për ruajtjen e armëve, pajisjeve mbrojtëse kundër rreziqeve radiologjike, kimike dhe biologjike, si dhe furnizimeve të tjera të karakterit ushtarak.

Një pjesë e veçantë e ndërtesës është rezervuar edhe për drejtuesit e institucionit.

Sipas dokumenteve, aty janë planifikuar dy hapësira zyrash, secila me sipërfaqe prej rreth 100 metrash katrorë, që përfshijnë zyrën e drejtuesit, një hapësirë pritjeje, dhomë pushimi dhe banjë me dush.

Blloku B përfshin një mensë me tri salla ngrënieje, me kapacitet të përgjithshëm prej 340 personash, si dhe një kompleks sportiv.

Në çatinë e tij janë paraparë pista vrapimi dhe fusha për futboll të vogël, basketboll, volejboll, badminton dhe tenis.

Blloku C, ndërkaq, është projektuar të ketë palestër, pishinë 25-metërshe, dhoma zhveshjeje, dushe dhe dy sauna.

“E turpshme”

Zyrtarët e kontaktuar me telefon nuk pranuan të komentonin për qëllimin e ndërtesës që po ngrihet në territorin e ish-varrezave, as për mënyrën se si mund të jenë trajtuar mbetjet mortore të zbuluara gjatë gërmimeve.

Natalya Balotnikava, një zyrtare e lartë për planifikimin urban në administratën e qytetit të Minskut, tha se informacionet për objektin janë “të kufizuara”.

Ish-ministri i Kulturës, Ruslan Charnyetski, i cili ishte në detyrë në dhjetor të vitit 2024, kur u nënshkrua kontrata për hartimin e dokumentacionit të projektit, nuk pranoi të komentonte.

Që nga viti 2021, kur autoritetet bjelloruse e shpallën Shërbimin bjellorus të Radios Evropa e Lirë “formacion ekstremist”, ky shërbim nuk ka marrë përgjigje zyrtare për pyetjet që ua ka drejtuar institucioneve.

Gjatë telefonatave me zyrtarët për këtë hulumtim, gazetari i Radios Evropa e Lirë u prezantua si banor i zonës. Ndërsa, gjatë bisedës me Charnyetskin, u prezantua si student i drejtësisë.

Pamje e objektit në ndërtim, në korrik.
Pamje e objektit në ndërtim, në korrik.

Varrezat katolike u mbyllën për varrime rreth vitit 1920.

Khadzinski, një besimtar i kësaj kishe, kujton se në kohën kur pranë saj kishte ende gurë varresh, kishte fotografuar njërin prej tyre.

Më vonë, ai kishte kuptuar se varri i përkiste një prifti të shekullit XIX, i cili ishte paraardhës i tij.

“Kur shkatërrohen varrezat e krishtera, kjo është fyerje si për të vdekurit, ashtu edhe për të gjallët”, thotë Khadzinski.

Sipas tij, komuniteti i kishës duhet të informohet se çfarë ka ndodhur me mbetjet mortore të zbuluara gjatë punimeve.

“Duhet të ketë një memorial të mirëfilltë dhe ata njerëz, mbetjet mortore të të cilëve janë zbuluar gjatë gërmimeve me ekskavatorë, duhet të rivarrosen sipas riteve të krishtera”, thotë Khadzinski.

“Prandaj, e gjithë kjo është shumë e turpshme dhe e papranueshme”, sipas tij

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy