Rikthehet paqja në rrugët e kryeqytetit. Në ditën e nëntë, protesta ndali vrullin.
Ndryshe nga tetë ditët e mëparshme, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” mbizotëroi qetësia.
Në bulevardin kryesor të Tiranës u dëgjua herë pas here vetëm zhurma e disa molotovëve dhe shashkave.
Numrat e paktë në shesh dhe mungesa e tensioneve bëri që edhe policia të zbriste në shesh e “paarmatosur” me gaz e spray lotsjellës.
Në bulevard u nxor vetëm një autobot uji, i cili u përdor vetëm në një moment.
Protestuesit ruajtën qetësinë, por kryeministrit Rama i dhanë sërish përgjigje për ftesën për dialog, duke djegur disa karrige poshtë Kryeministrisë.
Por qetësia nuk pritet të vazhdojë. Të enjten e seancës plenare, protestuesit njoftuan nisjen e tubimit që prej orës 9 të mëngjesit. Ata njoftuan se do të rrethojnë Parlamentin.
Edhe të mërkurën, në shesh u bashkuan sërish pedagogët, të cilët njoftuan se do të jenë pranë studentëve, derisa ata të marrin përgjigje për kërkesat e tyre. /Top Channel

