Kthimi i ligjit të Speciales për “plotësim” pas kërkesës së  PDK, çfarë ndodh tash proceduralisht?

by Nexhat

Kthimi i ligjit nga presidentja nuk e rrëzon automatikisht atë dhe as e kthen në pikën zero, thotë për Radion Evropa e Lirë, Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).

Ai shpjegon se, në bazë të Kushtetutës, Shiroka Pula ka të drejtë që, brenda afatit kushtetues, ta kthejë ligjin vetëm një herë në Kuvend dhe t’i paraqesë arsyet konkrete.

banner

“Pas kësaj, ligji i rikthehet Kuvendit për rishqyrtim”, thotë ai.

Bazuar në nenin 84 të Kushtetutës, thotë Jakaj, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu, duhet t’ia dërgojë ligjin Komisionit përgjegjës parlamentar dhe deputetëve.

Pra, sipas tij, Ligji për Dhomat e Specializuara nuk rikthehet në procedurën e zakonshme nga fillimi e as nuk përsëritet inicimi i projektligjit në lexim të parë dhe gjithë procedura që është zhvilluar para tij, pasi Jakaj thotë se Kushtetua parasheh procedurë të posaçme për ligjin e kthyer nga presidentja.

“Kryetari i Kuvendit ia përcjell ligjin Komisionit përgjegjës-raportues, i cili i shqyrton arsyet e kthimit dhe përgatit raportin për seancën plenare brenda katër javësh. Në fund, çështja vendoset në seancë. Këtu standardi i votimit është më i lartë sesa gjatë miratimit të zakonshëm të një ligji: nuk mjafton shumica e deputetëve të pranishëm dhe që votojnë, por kërkohen së paku 61 vota, pra shumica e të gjithë deputetëve të Kuvendit”, thotë ai.

Vetë fakti që presidentja nuk e dekreton një ligj nuk nënkupton automatikisht që janë konstatuar shkelje kushtetuese apo ligjore, por sipas Jakajt, kthimi nga presidentja është kompetencë kushtetuese e saj për t’i kërkuar Kuvendit që ta rishqyrtojë një ligj.

“Një konstatim i tillë përfundimtar i takon Gjykatës Kushtetuese”, vlerëson Jakaj.

Në fund, mund të mbetet në dorën e të zgjedhurve të popullit që të vendosin nëse duan ta miratojnë përsëri pasi presidentja e ktheu ligjin në Kuvend. Për miratimin e tij kërkohen 61 vota.

Megjithatë, sipas Jakajt, kjo çështje është e ndarë nga pyetja nëse Kuvendi duhet t’i marrë parasysh vërejtjet e mundshme të presidentes. Në bazë të Kushtetutës, kur kreu i shtetit kthen një ligj në Kuvend, ai duhet të japë arsyetim lidhur me këtë vendim.

“Nëse kthimi [i ligjit nga presidentja] mbështetet, për shembull, në shqetësime për përputhshmërinë e ligjit me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës ose për efektet juridike që mund të prodhojë, deputetët duhet t’i trajtojnë seriozisht këto çështje gjatë rishqyrtimit”, thotë ai.

Sipas tij, Rregullorja aktuale e Punës së Kuvendit, në dispozitën që rregullon veton apo mosdekretimin nga presidentja, është shumë më e qartë për përmbysjen e vetos me 61 vota sesa për procedurën e ndryshimit të tekstit të ligjit të kthyer.

“Për këtë arsye, nëse synohen ndryshime në dispozita të caktuara, mënyra procedurale se si bëhen ato duhet të sqarohet në Kuvend dhe nga Komisioni përgjegjës. Në çdo rast, një rivotim i shpejtë pa trajtuar arsyet konkrete të kthimit do ta dobësonte vetë kuptimin e rishqyrtimit që kërkon Kushtetuta”, vlerëson Jakaj.

Çfarë parasheh ligji?

Ndryshimi në Ligjin për Dhomat e Specializuara, i miratuar më 6 tetor, nuk parasheh shfuqizimin e Gjykatës Speciale, ku janë trajtuar disa raste për krime lufte dhe pengim të drejtësisë.

Megjithatë, ai parasheh ndryshime për disa çështje kyç të funksionimit të gjykatës.

Një nga ndryshimet kryesore në ligjin e miratuar – e që u kthye mbrapsht nga presidentja – ka të bëjë me llojin e veprave që mund të trajtohen nga Specialja.

Ndryshimet parashohin lidhjen e juridiksionit të tyre me pretendimet për trafikim organesh të raportit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të vitit 2011 që ishte bërë shkas për krijimin e mekanizmit të drejtësisë në Hagë.

Sipas ligjit, Specialja do të merrej me veprat që lidhen drejtpërdrejt me pretendimet për nxjerrjen, heqjen dhe trafikimin e paligjshëm të organeve, indeve ose qelizave njerëzore.

Në këtë juridiksion do të përfshiheshin edhe vrasjet, torturat si dhe trajtimi mizor e çnjerëzor në vendet specifike të ndalimit që përmenden në raport, kur ato lidhen drejtpërdrejt me operacionet e pretenduara të marrjes së organeve.

Kjo i bie që ligji synon që Speciales t’i hiqet juridiksioni për të ndjekur krimet e tjera të luftës, krimeve kundër njerëzimit apo dhunës politike që nuk kanë një lidhje të tillë të drejtpërdrejtë.

Po ashtu, një ndryshim tjetër i rëndësishëm ka të bëjë me periudhën kohore. Sipas ligjit fillestar, Gjykata Speciale trajtonte krimet që pretendohet se janë kryer nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Ligji i propozuar nga PDK-ja, e i miratuar më 6 tetor, e kufizon këtë periudhë nga 1 korriku i vitit 1999 deri më 31 dhjetor 2000.

Po ashtu, me ndryshimet në ligj u kërkua që të trajtohen vetëm krimet që pretendohet se janë kryer në territorin e Kosovës, e jo edhe në veri të Shqipërisë. Të gjitha rastet që nuk parashihen në juridiksionin e Speciale, me ndryshimin e ligjit, synohet të transferohen në Kosovë.

Po ashtu, aty parashihet që rastet që janë në procedurën e Gjykatës Supreme, të transferohen në Kosovë.

Ndryshimet prekin edhe dënimin maksimal për personat që dënohen, duke kërkuar që ajo të jetë deri në 15 vjet burgim.

Po ashtu, të dënuarit nga Gjykata Speciale, sipas ndryshimeve të miratuara më 6 tetor, u mundësohet të jenë subjekt i faljes presidenciale. Por, kjo e fundit bie ndesh me ligjin aktual për faljen, që përjashton të drejtën e kërkimit të faljes presidenciale për vepra të caktuara kundër së drejtës ndërkombëtare, ndërsa Kodi Penal i Kosovës i përfshin krimet e luftës në këtë kategori.

Ligji është kundërshtuar nga komuniteti evropian, që ngriti shqetësime lidhur me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës dhe pavarësinë e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

PDK më herët kishte argumentuar se me miratimin e ndryshimeve në ligj nuk do të thotë se anulohen aktgjykimet ekzistuese apo se personat e dënuar lirohen.

Dhomat e Specializuara u krijuan mbi bazën e një ndryshimi kushtetues, ligjit të veçantë dhe zotimeve ndërkombëtare të Kosovës. Ekspertë juridikë kanë paralajmëruar më herët se ndryshimet që prekin mandatin e tyre mund të ngrenë çështje kushtetuese dhe probleme në raport me detyrimet ndërkombëtare të vendit.

Dhomat e Specializuara kanë thënë se nuk janë konsultuar për nismën. Ndërkaq, kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, ka deklaruar se gjykata ka mandat të përcaktuar në bazë të këmbimit të letrave, Kushtetutës së Kosovës dhe Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Ajo përmes një video-mesazhi ka argumentuar se Gjykata Speciale garanton procese të pavarura dhe të paanshme në shërbim, siç ka thënë ajo, të drejtësisë. Ky deklarim i saj është përballur me kritika në Kosovë

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy