Profesori i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Enver Hasani, ka thënë se amendamentimi i Ligjit për Gjykatën Speciale tashmë ka kaluar të gjitha fazat e shqyrtimit parlamentar dhe se është miratuar nga Kuvendi. Si i tillë, Hasani thotë se Vetoja presidenciale nuk e rikthen ligjin në procedurën e zakonshme legjislative dhe nuk e autorizon Kuvendin ta rihapë procesin e amendamentimit.
Kosova Live: Ka zëra që thonë se rishqyrtimi i ligjit, me kërkesë të Presidentit të Republikës, të shprehur përmes vetos presidenciale, nënkupton edhe të drejtën e Kuvendit për ta amendamentuar ligjin. A është i saktë një interpretim i tillë?
Hasani: Asnjëherë! Si mund të ketë amendamentim të një ligji që tashmë ka kaluar të gjitha fazat e shqyrtimit parlamentar, është miratuar nga Kuvendi dhe ka mbetur vetëm pa shpalljen presidenciale?
Duhet të bëhet një dallim i qartë ndërmjet procedurës së zakonshme legjislative dhe procedurës së rishqyrtimit të ligjit pas vetos presidenciale. Këto janë dy procedura juridikisht të ndryshme, me qëllime dhe pasoja të ndryshme kushtetuese.
Vetoja presidenciale nuk e rikthen ligjin në procedurën e zakonshme legjislative dhe nuk e autorizon Kuvendin ta rihapë procesin e amendamentimit. Ajo i jep Kuvendit mundësinë të vendosë nëse do ta konfirmojë ligjin që tashmë e ka miratuar.
Ndryshimi dhe plotësimi i ligjit bëhen përmes një procedure tjetër legjislative, të përcaktuar me Kushtetutë dhe me Rregulloren e Kuvendit.
Çdo përpjekje për ta shfrytëzuar veton presidenciale si mundësi për amendamentimin e ligjit do të përbënte keqpërdorim të procedurës kushtetuese dhe tejkalim të kufijve të pushtetit legjislativ. Një praktikë e tillë do të krijonte një precedent të rrezikshëm për të ardhmen, duke e shndërruar një mekanizëm të kontrollit kushtetues në instrument për rihapjen e procesit legjislativ.
Kushtetuta nuk mund të interpretohet sipas nevojave të momentit. Rregullat kushtetuese vlejnë njësoj për çdo përbërje parlamentare dhe për çdo President të Republikës.

