Janë publikuar detaje për aksidentin e rëndë të trafikut që ndodhi mbrëmjen e së shtunës në rrugën Prishtinë–Ferizaj, ku një motoçiklist humbi jetën pas përplasjes me dy vetura. Sinjali tani ka mësuar se viktima është Çlirim Aliu, 22-vjeçar.
Aksidenti tragjik ndodhi më 24 tetor, rreth orës 23:11, në fshatin Llapnasellë, përballë objektit “Day to Day”.
Sipas informacioneve që Sinjali ka raportuar më herët, në aksident u përfshinë një motoçikletë e tipit Yamaha dhe dy vetura, një Volkswagen Passat dhe një BMW.
Si pasojë e përplasjes, motoçiklisti pësoi lëndime fatale, ndërsa vdekja e tij u konstatua në vendin e ngjarjes nga ekipi mjekësor që kishte dalë në vendin e ngjarjes.
Në vendngjarje dolën njësitë patrulluese, hetuesit e Njësisë Rajonale të Komunikacionit Rrugor dhe zyrtarë drejtues të Policisë. Për rastin u njoftua edhe Prokurori i Shtetit, ndërsa trupi i pajetë u tërhoq nga ekipi i Institutit të Mjekësisë Ligjore për autopsi.
Rrethanat që çuan deri te aksidenti fatal ende nuk janë sqaruar, ndërsa rasti vazhdon të jetë nën hetime.

